Duka përzgjedh “politikanin” Sedorf?

Presidenti i FSHF-së, i impresionuar nga holandezi. Pa përvojë, por një ambasador i futbollit në botë, përveçse politikan dhe burokrat. Ish-milanisti ka thënë “po”. Takimet e tjera, thjesht formale… Por, s’ka mbaruar!

Anton Cicani

Të paktën edhe tri ditë deri në përzgjedhjen e pasuesit të Xhani de Biazit. Aq i ka kërkuar vetes Armand Duka, presidenti i federatës shqiptare të futbollit, i cili pavarësisht se ka kontaktuar shumë trajnerë deri tani dhe thuajse të gjithë italianë, ka arritur në momentin final, atë për të vendosur. “Në korrik do të vendoset trajneri i ri”, shkruante në komunikatën e saj FSHF-ja, teksa korriku ka ardhur dhe pritet vetëm që të dalë tymi i bardhë, pra “habemus Papam”…  Por, në mendjen e Armand Dukës tashmë është bërë seleksionimi dhe ai  quhet Klarens Sedorf. Kreu i federatës, duke “kamufluar” më së miri objektivat e tij, ka pasur një diskutim të gjatë telefonik me ish-trajnerin e Milanit dhe, jo vetëm kaq, por ka udhëtuar dhe e ka takuar atë në Itali. Një bisedë e zhvilluar nën hijen e reflektorëve, por që ka një domethënie të madhe. Personaliteti dhe karakteri i Sedorfit ka goditur në shenjë. Një ish-kampion i fushës (tre Champions me tre skuadra të ndryshme), por edhe një burokrat i vërtetë, aristokrat në disa sjellje dhe një politikan. Jo më kot e quajnë “ambasadori”.

I lindur në Surinam, por që i vogël i transferuar në Holandë, u rrit me të rinjtë e Ajaksit, ku edhe shpërtheu me paraqitjet e tij, deri sa Sampdoria do ta blinte dhe do t’i shkonte pranë Champions, në vitin e artë me Vialin.Nga Sampdoria te Real Madridi, sërish me Kupën e Kampionëve, për të vijuar me Milanin dhe Botafogon, deri te këpucët në gozhdë dhe kontrata si trajner i kuqezinjve, me 3,5 milionë euro në sezon. Vetëm gjashtë muaj dhe shkarkim për të, që fluturoi shumë kohë më pas në Kinë, në kategorinë e dytë, por edhe aty dështoi.

Takimet – Ndërkohë, De Kanio ka qenë në Tiranë dhe është takuar personalisht me Armand Dukën, por nuk dihet se çfarë kanë biseduar mes tyre. Fakti është që listës së gjatë, që u “tkurr” në fund mes Zengës dhe Panuçit, i janë shtuar edhe dy emra të tjerë: bëhet fjalë për Alberto Malezanin. Prej kohësh pa skuadër, ish-trajneri i Parmës së çudirave, që ka drejtuar edhe në Greqi me Panathinaikosin, mund të ketë këto ditë kontakte me Armand Dukën. Vetëm pak muaj më parë, në një intervistë për mediet italiane, 63-vjeçari, do të shprehej se i mungonte shumë katërkëndori i gjelbër, ndërsa gjithashtu se ishte interesuar më shumë për futbollin ndërkombëtar se sa atë italian. “Mezi pres të kthehem dhe stërvis”, citoi ai.

Novara, 07/04/2012
Serie A – 31.a giornata / Novara-Genoa
Alberto Malesani (allenatore Genoa)

Eksperienca e fundit e Malezanit në pankinë ishte te Sasuolo, 3 vjet më parë. Praktikisht i zhdukur nga panorama futbollistike, ai ka shansin e artë dhe këtu nuk flitet për aspektin ekonomik. Ndërkohë, emri tjetër që i është këshilluar Dukës është Xhuzepe Pilon, i cili ka drejtuar Alesandrian sezonin e fundit në Lega Pro, kategoria e tretë italiane. Pikërisht Pilon ka një përvojë të rëndësishme, duke qenë se ka drejtuar 20 skuadra të ndryshme dhe në tre kategoritë (Seria A, Seria B dhe Seria C).  Sakaq, Panuçi, i kontaktuar sërish dje nga “Sport Ekspres”, u shpreh: “Nuk di gjë, ende në pritje të përgjigjes së Dukës. Të shohim…”.

Buxheti – Armand Duka ka vendosur një buxhet modest, por që ka të përfshirë bonuse të ndryshme brenda tij. Në fakt, nga ajo që ka mësuar “Sport Ekspres” prej kohësh, flitet për 250 mijë euro bazë dhe 50 mijë euro të tjera, që do të jepen në rast të rezultatesh të mira në katër ndeshjet e mbetura të këtij edicioni të eliminatoreve të Botërorit 2018.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *