Duka lë pezull titullin e vjetshëm: Ndoshta nuk jepet fare!

Armand Duka rrëfehet pas vendimeve të Komitetit Ekzekutiv, duke prekur edhe çështjen post-De Biazi, transfertën me Maqedoninë, por sidomos titullin që iu hoq Skënderbeut

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka folur ditën e djeshme në “Supersport”, duke trajtuar gjerësisht tema të nxehta në këtë moment në futbollin shqiptar. Vendimet e komitetit ekzekutiv, shtyrja e fillimit të kampionatit, numri i të huajve, post De Biazi, kërkesat për trajnerin e ri të kombëtares, por edhe titulli i vjetshëm hequr Skënderbeut. Ndonëse bazuar edhe te precedenti “Calciopoli” në Itali, titulli i hequr i shkon vendit të dytë në renditje, pra Partizanit, Duka lë gjithçka të hapur, duke mos përjashtuar mundësinë që sezoni i shkuar të hyjë në histori si sezon pa kampion.

Largimi i Xhani De Biazit erdhi si një rrufe në “qiell të hapur” për ju?

Isha i papërgatitur. Nuk e dija që trajneri do të largohej në këtë moment. Dija që trajneri do të largohej në fund të edicionit, siç kishte edhe kontratën, por për arsye të tij personale kjo gjë ndodhi. Tani ne jemi duke punuar fort për të riorganizuar të gjithë ekipin kombëtar dhe stafin e tij, duke filluar që nga trajneri i parë dhe më pas pjesën tjetër të grupit. Është një proces që ka filluar me një listë të gjatë të kandidaturave shqiptare dhe të huaja. Prej fillimit kemi ndërtuar një grup negociator prej nisjes së këtij procesi, që përbëhet nga unë, zëvendëspresidenti dhe Fatbardh Jera, personi në komitet që mbulon çështjet teknike. Kemi arritur në një listë të shkurtër. I kemi konsultuar edhe sot këta emra dhe së shpejti shpresoj që të kemi njërin nga këta emra si trajner të kombëtares shqiptare.

Cili është identikiti i trajnerit të ri të kombëtares shqiptare dhe sa do të paguhet?

Sa i përket pagesës, të gjithë kandidatëve u kemi bërë të qartë buxhetin që kemi në dispozicion për këtë rol. Shkurt, kemi bërë intervistat vetëm me ata që e pranojnë këtë kusht. Është detyra jonë që të zgjedhim se cili do të jetë trajneri i ri i Shqipërisë, në bazë të “CV”-së, të kaluarës dhe ambicies që kanë. Mund të them gjithashtu se emrat janë shumë të spikatur në botën e futbollit, por kemi ardhur në atë “short list” me pesë emra. Një grup nga këta pesë janë me shumë eksperiencë në drejtim të ekipeve dhe anasjellas, emra të mëdhenj, por me më pak eksperiencë në krye të një skuadre. Jemi në një lloj dileme se kë do të zgjedhim mes këtyre dy grupeve dhe më pas të flasim për emrin konkret. Çdo zgjedhje ka të mirat dhe të këqijat e veta. Nëse zgjedh një emër të madh, ata mund të kenë më shumë dëshirë për të punuar dhe për të bërë karrierë, kanë më shumë ego e sigurisht për të bërë përpara. Por edhe eksperienca ka peshën e vet në çdo punë. Jam i bindur se do ta zgjidhim shumë shpejt.

Çfarë pret FSHF-ja deri në fund të eliminatoreve nga ndeshjet e mbetura?

Projekti ynë është i qartë. Një gjë të tillë u kemi bërë me dije edhe alternativave që kemi në tavolinë, për stolin e kombëtares. Objektivi ynë është që të marrin sa më shumë nga këto katër ndeshje, me qëllimin për të përgatitur skuadrën drejt kualifikimit për në Europianin e 2020-ës.

Ka kushte për trajnerin e ri të kombëtares? 

Kontrata do të jetë deri në vitin 2020. Kusht do të ketë kualifikimin në Europian. Edhe ndeshjet e radhës janë të rëndësishme, sepse do të përgatitemi për të ardhmen, renditjen e FIFA-s, klasifikimit, gjendjen e skuadrës dhe që tifozët të kënaqen me rezultatet që duhet të jenë pozitive. Mos harroni, kombëtarja do të luajë në “Nations League” dhe eliminatoret e Europianit. Të dyja këto kompeticione të çojnë në Europian.

Maqedonia na degdisi në një stadium të çuditshëm…

Faktikisht, ne e kemi kundërshtuar me forcë këtë vendim. Sipas nesh, ai është një stadium i papërshtatshëm. Nuk ofron kushte sigurie dhe nuk na bind ideja që në Strumicë qeveria dhe federata maqedonase japin më shumë siguri sesa në Shkup. Në kryeqytetin maqedonas ka më shumë siguri. Luhet në një stadium të madh, me siguri perfekte. Aq më shumë që do të kishte më shumë spektatorë nga të dyja palët. Por nuk është kompetenca jonë dhe në fund do të pranojmë vendimin e FIFA-s dhe UEFA-s. Me rrugë zyrtare ne kemi kundërshtuar spostimin e ndeshjes në këtë stadium që kur gjërat ishin ide. Na ka ardhur një përgjigje që ndeshja do të luhet në atë stadium nëse Maqedonia plotëson disa kushte të vëna. Ne jemi ankuar tek presidenti i UEFA-s, me anë të një letre ku japim argumentet tona se Strumica nuk ofron siguri, qoftë për kapacitetin, ekipin dhe tifozët.

Komisioni i Etikës mori një vendim për Skënderbeun. Ishte kërkesë e UEFA-s, apo nisim nga viti zero në futbollin tonë?

Komisioni i Etikës është marrë gjatë me çështjen e trukimeve të ndeshjeve apo akuzave të tyre. Nuk ka qenë vetëm Skënderbeu në këtë listë. Kanë qenë edhe ekipe të tjera apo individë. Në këtë linjë komisioni ka dhënë vendimet e tij. Skënderbeu ka qenë çështja më e përfolur dhe që ka marrë më shumë kohë për atë vendim. Një vendim që duhet ta pranojmë, jemi apo jo të kënaqur. Uroj që të jemi në vitin zero dhe asgjë të mos ndodhë më në Shqipëri. Fenomeni i trukimit ka ardhur drejt eliminimit në Shqipëri. Uroj që kampionatin tjetër të jetë eliminuar.

Çështja e titullit kampion që iu hoq Skënderbeut, a do të ketë një vendimmarrje tjetër?

Nuk mund të them dot asgjë. Aktualisht nuk e di se çfarë parashikojnë rregullat dhe se çfarë do të ndodhë. Për më tepër nuk është zbardhur akoma vendimi i Komisionit të Etikës për të parë dhe vendosur edhe komisionet e tjera, apo për të reflektuar për masat e tjera, nëse është penalitet, nëse do të jetë kampionat pa fitues, apo do ta marrë një skuadër tjetër. Mbetet për t’u parë…

Si e vlerësoni vendimin e klubit të Kukësit për të çuar në gjyq një kompani vlerësimesh “Federbet”?

Kam pak informacion për këtë çështje. E kam marrë më shumë mediatikisht. Nëse janë cenuar atëherë kanë të drejta të plota të kërkojnë që cenimi i imazhit nga dikush tjetër të vihet në vend.

Komiteti Ekzekutiv ka marrë vendime të tjera. Nga sot, lojtarët shqiptarët e Maqedonisë nuk konsiderohen të huaj në Shqipëri.

Në Komitetin Ekzekutiv kemi miratuar datën e nisjes së kampionatit. Shtatë klube ishin pro nisjes në këtë datë, pra 9 shtator. Unë isha për datën 20 gusht, për t’i dhënë mundësi kombëtares që të kishte lojtarë në formë, por nuk ishte e thënë. Klubet mendonin ndryshe dhe u vendos kështu. Diskutimi i të huajve është i kahershëm. Kemi dhënë argumente plot pse duhet të minimizohet numri i të huajve. Bëhet vetëm për të ndihmuar të rinjtë shqiptarë dhe për të ndihmuar ekipet kombëtare. Para katër vitesh kishim tetë lojtarë të huaj dhe gjithmonë jemi në zbritje. Kemi gjykuar kështu. Sa i përket çështjes së Maqedonisë, ne gjithmonë kemi kërkuar që të gjithë shqiptarët në Shqipëri, paçka se ishin me shtetësi tjetër, të luanin si vendës. Çështja e Maqedonisë dhe sesi do të ndahej nëse dikush ishte shqiptar apo maqedonas ishte delikate. Për të mos i penalizuar shqiptarët të gjithë lojtarët nga Maqedonia do të konsiderohen jo të huaj. Të njëjtën gjë bëmë edhe me Kosovën. Ky vendim e zbut kërkesën e klubeve për më shumë lojtarë të huaj dhe kërkesën tonë që të kemi sa më shumë shqiptarë në fushën e lojës. Kemi bërë ndryshimin e kartonëve të verdhë. Vendimi u mor në bazë të kërkesës së klubeve dhe duke parë edhe kampionate të tjera të huaja. Tani një pezullim do të jetë me katër të verdhë edhe pse pati diskutime për çështjen sesi do të ndahen kartonët disiplinorë apo teknikë. Edhe ndarja, struktura dhe data e Kategorisë së Parë ka qenë shumë e vështirë. Kemi në dy raste klube që bëjnë pjesë në të njëjtën Bashki. Shkurt, këto Bashki janë aksionere të të dyja skuadrave dhe jemi detyruar të bëjmë spostime nga veriu në jug dhe anasjelltas. Mund të ketë ankesa, por kjo është e vërteta.

Formula e Kategorisë së Parë është në provë, apo mendohet e konsoliduar? 

Sot ka kaluar data e kampionatit dhe ndarja e grupeve. Skema e Kategorisë së Parë mbetet për t’u miratuar. Sektori i garave do të japë propozimet e tij dhe gjithçka do të miratohet në një mbledhje të ardhshme të komitetit.

Klubet kërkojnë më shumë para…

Në të ardhmen do të diskutohet edhe çështja e shpërblimeve për fituesit. Do të shohim mundësitë tona për më shumë para. Sigurisht që do të marrim parasysh kërkesat e klubeve, por sa do të jetë rritja, këtë do ta vendosim nga mundësitë tona financiare. Po kështu, klubet do të luajnë me të njëjtin top dhe ka edhe disa detyrime të klubeve me median.

Do të kemi një sponsor të përgjithshëm për kampionatin?

Akoma nuk ka një sponsor të përgjithshëm për kampionatin. Një nga objektivat tonë është krijimi i Ligës Profesioniste. Së bashku me klubet do të bëjmë një mbledhje për këtë çështje brenda korrikut dhe do të arrijmë në një zgjidhje për Ligën dhe kjo e fundit të vendosë sponsorin e Ligës.

Sponsori i Ligës, me çmim dysheme, apo oferta më e mirë?

Personalisht do të isha kundër dyshemesë, pro mundësisë që ka biznesi dhe tregu.

 

Formula e Kategorisë së Parë

“Ka kaluar data e kampionatit dhe ndarja e grupeve. Skema e Kategorisë së Parë mbetet për t’u miratuar. Sektori i garave do të japë propozimet e tij dhe gjithçka do të miratohet në një mbledhje të ardhshme të komitetit”

 

Shpërblimet

“Në të ardhmen do të diskutohet edhe çështja e shpërblimeve për fituesit. Do të shohim mundësitë tona për më shumë para. Sigurisht që do të marrim parasysh kërkesat e klubeve”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *