Endrick e gjeti veten në qendër të vëmendjes disa muaj më parë kur u transferua nga Palmeiras te Real Madrid dhe jeta e tij private ishte menjëherë “nën lupën” e publikut. Edhe pse sulmuesi brazilian sapo ka festuar ditëlindjen e tij të 18-të, shumë janë befasuar mbrëmë kur Endrick postoi në Instagram dhe konfirmoi martesën e tij.
Gruaja e tij është Gabriely Miranda, e cila është pesë vite më e madhe dhe punon si modele. Endrick dhe Gabriely ishin në një lidhje prej një viti dhe vendosën të martoheshin, por jo të gjithë ishin të kënaqur me këtë vendim. Këtu spikasin fillimisht prindërit e tij, të cilët besojnë se nuk është një martesë dashurie dhe u përpoqën ta këshillonin Endrick-un, por ai nuk pranoi.
Prindërit e futbollistit brazilian u tronditën nga vendimi që djali i tyre të martohej sepse besojnë se Gabriely po përfiton shumë prej tij. Ata u befasuan veçanërisht kur kuptuan se çfarë kontrate kishin nënshkruar të dy dhe pasqyron gjithë çudinë e marrëdhënies së Endrick-ut dhe Gabrielës.
Është një kontratë me shumë klauzola dhe Endrick vendosi të zbulojë vetëm disa prej tyre. Por edhe kaq ka mjaftuar që publiku të fillojë të flasë për këtë situatë dhe shumë besojnë se ka kohë që nuk kanë parë diçka më të çuditshme se ajo kontratë.
Endrick shpjegoi se ai dhe Gabriely janë të detyruar nga kontrata, pra është e detyrueshme që t’i thonë njëri-tjetrit “të dua” në të gjitha situatat dhe bisedat, pavarësisht nëse janë duke folur për gjëra të parëndësishme, duke debatuar apo duke marrë vendime të rëndësishme. Përveç kësaj, ka edhe klauzola të cilat ndalohen të kenë ndonjë varësi dhe ndryshime drastike në sjellje.
Gjithashtu, në fund të çdo muaji ata duhet t’i blejnë njëri-tjetrit atë që duan. “Për shembull, kohët e fundit i kërkova asaj kufje Apple dhe ajo duhej t’i blinte ato për mua”, shpjegoi Endrick. Mediat braziliane theksojnë gjithashtu se ka edhe klauzola për paratë e përfshira, pra se Gabriely është siguruar që do të marrë një shumë parash nëse ndahen, gjë që shqetësoi më shumë prindërit e Endrick.
Është e qartë se lidhja e tyre dhe tani martesa e tyre është në qendër të vëmendjes, sepse shumë janë të interesuar se si do të duket e gjitha kjo dhe shumë besojnë se divorci do të vijë shpejt. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/