Marash Kumbulla arriti të fitonte trofeun e Conference League në Tiranë. Titulli i parë për mbrojtësin që arrin tia dalë në kryeqytetin shqiptar. Në një intervistë për Marca, Kumbulla ka thënë se detyra e tij është që të përfaqësojë më së miri popullin shqiptar.
“Të fitosh trofeun në Tiranë do të thotë shumë për mua. Është shumë e veçantë. Shqipëria është vendi im, i prindërve të mi dhe i gjithë familjes sime. Është e vërtetë që kam lindur në Itali, por identifikohem me këto ngjyra. dhe unë kam për detyrë ta përfaqësoj mirë popullin tim. Shqipëria nuk kishte pasur kurrë mundësinë të presë një finale të një ngjarje kaq të rëndësishme.
Unë si shqiptar jam shumë i emocionuar që fitova titullin e parë të karrierës sime në Tiranë. Në fund të lojës kërkoja një flamur dhe nuk e hoqa. Tani, si kombëtare, kemi synime të rëndësishme: duam të bëjmë mirë në Ligën e Kombeve dhe të përpiqemi të futemi në Euro 2024”, tha Kumbulla. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/