Partizani ia ka dalë që të fitojë në transfertë kundër Saburtalos në shifrat 0-1. Të kuqtë i falen golit të Tedi Carës që pas nisjes së pjesë së dytë shfrytëzoi asistin fantastik të Skukës duke dërguar topin në rrjetë. 45 minutat e dytë nisën me vonesë pasi do të binte energjia elektrike në stadium.
Sa i përket ndeshjes, vendasit po zotëronin lojën në pjesën e parë, megjithëse nuk ishin shumë të rrezikshëm. Ndërkohë Partizani kishte vetëm një moment të mirë me Skukën që iu afrua golit. Pasi Cara tundi rrjetën në fare pak sekonda nga nisja e së dytës, Saburtalo u shokua.
Shumë gabime te vendasit dhe Partizani fali shumë raste për të dyfishuar shifrat, me lojtarët që kërkonin të shënonin në mënyrë individuale. Skuka do të largohej për t’i lënë vendin afrimit të ri, Cvetanoski, pasi u ndëshkua me karton të verdhë.
Cvetanoski bëri gabimin e pafalshëm ku me rrezen e hapur të portës dhe fare pranë saj, bëri më të vështirën duke nxjerrë topin jashtë stadiumit. Në minutat shtesë ishte fati që mbajti fitoren e Partizanit. Mes vuajtjeve të mëdha, të kuqtë kanë shpëtuar në të paktën dy raste nga shpëtimi i golit falë fatit. Kështu nis edhe kjo aventurë e re në Europë me Mehmetin që ia del në provën e parë. Më poshtë gjeni intervistën e Mehmetit në “Oversport”:
Mehmeti: “Nuk është mbyllur ende asgjë. Ne e pamë që rivali kishte ritmin e lojës. Duhej ta kishim mbyllur ndeshjen me rastet e Skukës dhe Cetanoskit. Në fund kemi vuajtur pak, duhet më tepër përqendrim dhe personalitet. Megjithatë kemi bërë ndeshje të mirë. Duhet të kishim më tepër kontroll topi, disa herë gabonim nga paniku. Altruizmi i munguar? E vërtetë, Skuka dhe Cara kur dalin në pozicione afër portës, nuk e mendojnë shërbimin fare në atë moment. Aty duhet të bëjnë diferencën, në ato momente. Janë djemë shumë të mirë sigurisht”.