Neshat Murati është një nga elementet e reja që spikatin te kuqezinjtë. Shtatlarti që është pjesë e Shkëndijës së Tetovës ka rrëfyer ëndrrën e tij kuqezi për rubrikën “Talenti shqiptar“ në fshf.org. Nga hapat e para dhe dëshira për futbollin e deri te idhulli i tij në Kombëtare, Murati i tregon të gjitha. Të vishte fanellën e Shqipërisë ishte një ëndërr për të, që tashmë është kthyer në realitet. Objektivat për të ardhmen i ka të qarta, të arrijë majat në futbolin europian dhe të sigurojë vendin e tij në Kombëtaren A.
Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?
“Si fillim, si çdo fëmijë ishte dëshira shumë e madhe për të luajtur futboll si profesionist, sepse që nga ajo kohë shihja ndeshje futbolli në televizor dhe më pëlqente shumë futbolli si sport.
Në moshën 7-vjeçare kam hedhur hapat e parë në futboll, në klubin “Dardanët” në Tetovë, ku kam kaluar 5 vite të bukura me shumë motivim dhe shumë dashuri për futbollin. Dëshira dhe pasioni për futbollin lindi që nga ajo kohë, sepse e shihja se futbolli ishte pikërisht sporti i duhur për mua”.
Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
“Prindërit e mi ishin të parët që më afruan me këtë sport dhe kishin besim tek unë. Babai im po ashtu vinte në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje për të më parë në aksion. Gjithmonë, prindërit më thonin se dëshira e tyre më e madhe ishte që një ditë të luaja për Kombëtaren Shqiptare dhe ja ku erdhi edhe ajo ditë. Ia dola mbanë dhe e bëra realitet këtë ëndërr“.
Si stërvitesh, si punon? Na trego një ditë tënden të zakonshmen me futbollin?
“Në mëngjes fillon stërvitja me klubin, ku në orën 8:30 duhet të paraqitemi në dhomat e zhveshjeve, ndërsa stërvitja fillon në orën 10:00 dhe zgjat dy orë. Pastaj pas stërvitjes mundohem të pushoj dhe në orën 17:00 vazhdoj me stërvitje në palestër deri në orën 18:00. Më tej, mundohem të kaloj kohë me familjen”.
Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?
“Futbolli për mua është i gjithi sakrificë. Nga koha që kam filluar hapat e para të futbollit e deri më sot për mua çdo ditë ka qenë sakrificë, punë dhe përkushtim i madh ndaj futbollit”.
Çfarë synimi ke për të ardhmen?
“Synimi im për të ardhmen është që të arrij majat, pra të bëhem një lojtar i madh në Europë, dhe të luaj për Kombëtaren A të Shqipërisë”.
Cila është motoja jote ose mesazhi për bashkëmoshatarët e tu?
“Mesazhi im për bashkëmoshatarët e mi është që të punojnë shumë fort dhe të mos ndalojnë së besuari në ëndrrat e tyre! Sepse unë mendoj që puna është çelësi i një suksesi”.
Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?
“Idhulli im në kombëtaren tonë është padiskutim Lorik Cana, sepse edhe pozicioni im në fushë është qendërmbrojtës njësoj si Cana. Ai ishte kapiten dhe lider i Kombëtares dhe mendoj se ai është shembull për t’u ndjekur”, ka deklaruar Neshat Murati./Halit Delibashi-Sport Ekspres/