E ardhmja e Elseid Hysajt ende mbetet e paqartë. Fillimisht largimi nga Napoli u bë një fakt i kryer pas lajmeve se kapiteni i Kombëtares kuqezi kishte dorëzuar kërkesën për të lënë skuadrën. Megjithatë zhvillimet e fundit bëjnë me dije se një rinovim mund të vijë mes palëve, duke marrë parasysh faktin se Gatuzo ka shfaqur besim për futbollistin shqiptar.
E me sa duket këtë rrugë kërkon edhe trajneri i Kombëtares, Edi Reja, i cili në një prononcim për “Radio Kiss Kiss“ shprehet se dëshira e tij është që Hysaj të zgjasë kontratën e tij me Napolin. Gjithashtu flet edhe për Kumbullën. Tekniku italian bën me dije se ia ka këshilluar në janar të kaltërve dhe gjithçka ishte e mbyllur, por në fund ishte vetë mbrojtësi shqiptar ai që ndaloi këtë kalim.
“Gattuso ka hyrë në kokat e futbollistëve që nuk ishin ekip më parë. Tani edhe ata që nuk luajnë ose luajnë pak janë thelbësor. Kampionati nuk ka mbaruar akoma dhe Napoli mund të ketë akoma fjalët e tij. Trajneri gjithashtu i dha Hysajt besim se po shkon mirë si majtas ashtu edhe djathtas. Ajo që ka rëndësi për mua është që ai të luajë. Unë do të doja ta shihja atë të rinovonte me fanellën e kaltër.
Kumbulla? Në të kaluarën kam biseduar me Giuntolin për këtë dhe gjithashtu e këshillova që ta ndiqte. Në fakt gjithçka ishte e mbyllur. Pastaj gjithçka mori kthesë tjetër sepse lojtari dëshironte të bënte disa vlerësime”, ka thënë Reja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/