Finalja në “Air Albania” dhe Kampionati Europian, këto janë dy objektivat që Marash Kumbulla dëshiron të arrijë në të ardhmen. Në një intervistë me gazetarin Sokol Xhihani për “Supersport”, mbrojtësi i Kombëtares është shprehur se një rezultat pozitiv me Spanjën do të rriste moralin e ekipit, ndërsa në kampin kundërshtar sheh Alvaro Moratën si rrezikun më kryesor.
Kumbulla ka fituar vendin e titullarit edhe te Roma, ku ka bindur më në fund Murinjon që t’i japë besimin e tij. Lidhur me këtë temë, 21-vjeçari i Kombëtares është shprehur se ka qenë vetëm mënyra se si është stërvitur ajo që e bëri “special one” të ndryshonte mendim.
Para një sfidë të rëndësishme si ajo ndaj Spanjës, si po shkojnë përgatitjet? “Në këto katër ditë, jemi stërvitur shumë të përqëndruar, është atmosferë pozitive dhe shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv”.
Moratën e sfidon edhe në Serie A, e ke studiuar sulmin e Spanjës dhe kujt mund t’i druhesh më tepër? “Spanja ka lojtarë që luajnë në ekipet më të mira në botë. Morata ka shpejtësi dhe teknikë dhe bën shumë lëvizje të mira, ai do të jetë lojtari më i vështirë për t’u markuar”.
Me Gjimshitin dhe Ismajlin luani në Itali, ju ndihmon kjo pjesë për t’u kuptuar në fushë? “Besoj se po, por edhe ata që nuk luajnë në Itali janë shumë të mirë dhe kemi një lidhje të bukur në fushë”.
Me Spanjën mund të bëjmë diçka, marrja e një rezultati pozitiv na ndihmon edhe në pjesën e moralit- “Nuk ka ndeshje miqësore, do të bëjmë gjithë ndeshjen maksimumin. Do të japim 100% dhe do të shohim rezultatin që do të marrim, Spanja është ekip i fortë por do të mundohemi të marrim rezultat”.
Si ia more zemrën Mourinhos- “Vetëm me stërvitje, pa fjalë dhe ai e pa që jap maksimumin, në muajt e fundit kam luajtur dhe është diçka pozitive sepse jam mirë fizikisht”.
Ka biseduar diçka veçmas me ty? “Jo, por ka thënë se i pëlqen mënyra si jam stërvitur dhe më ka dhënë besimin në fushë”.
Ke ndonjë synim me kombëtaren dhe Romën? “Me Romën shpresoj të luaj sa më shumë ndeshje dhe të shkojmë në finalen e Conference League dhe me kombëtaren të luaj në Europian. Normal, që do të doja të luajë në Tiranë finalen e Conference League”, është shprehur Marash Kumbulla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/