Ka përfunduar në barazim 1-1 përballja e sotme mes Partizanit dhe Kukësit. Ilir Daja vazhdon të mos gjejë ende fitoren e parë në kampionat, megjithëse plot 5 javë janë luajtur. Tedi Cara kaloi në epërsi të kuqtë në minutën e 66, por vetëm 4 minuta më vonë Feijao rikthen baraspeshën. Në përfundim të takimit, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas goli” në “Supersport”.
Longo (Kukësi): “Nuk e miratoj që Kukësi kërkonte barazimin. Nuk jam shumë i kënaqur për ndeshjen. Bëmë lojën tonë, dominuam. Kishte strategji të ndryshme mes ekipeve. Në pjesën e dytë u munduam të sulmonim më shumë nga krahët. Krijuam disa hapësira. Duhej të rrezikonim prandaj humbëm disa balanca. Donim ta fitonim ndeshjen. Mesfushorët kanë punuar shumë, janë ata që na ndihmojnë më shumë. Kishim një mundësi shumë të mirë me Shqiprim Taipin. Është e vërtetë që kishim më shumë mundësi dhe ishim më të rrezikshëm se ata. Kishim raste shumë të pastra në pjesën e parë, mund të përmend rastin e Bashës ku ishte vetëm 3 metra larg. Ka shumë gjëra për tu përmirësuar.
Jam i lumtur që njerëzit e shijojnë lojën tonë. E krahasova Partizanin me Juventusin për historinë dhe traditën që ka, por gjithashtu për shkak se ka një personalitet të madh dhe dinë të menaxhojnë shumë mirë situatat. Këtë e përfiton kur luan për shumë vite në nivele të larta. Vitin e shkuar kemi pësuar 12 gola dhe kemi shënuar 2 kundër tyre. Ndërsa sot dhamë të gjitha energjitë tona për ta fituar këtë ndeshje. Me kë ngjan Kukësi nga Serie A? Shpresoja ta harronit këtë pyetje. Nëse më duhet të bëj këtë krahasim ekipi më duket si Napoli në kohën kur ishte Sarri”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/