“Donim fitoren për këta tifozë, provuan deri në pikën e fundit të fuqisë”, Longo: Dy ndeshjet e fundit kanë qenë një turp

Është mbyllur në barazim 0-0 përballja e sotme mes Kukësit dhe Laçit. Kurbinasit konfirmojnë edhe njëherë veten si “macja e zezë” e verilindorëve, teksa nuk janë mposhtur asnjëherë prej tyre në 4 sfidat e zhvilluara këtë sezon. Kukësi nuk i mund dot bardhezinjtë as me atmosferën fantastike të tifozëve, që kanë mbushur stadiumin në inagurimin e tij.

Tifozeria ka qenë tejet e zhurmshme këtë mbrëmje, duke mbështetur nga sekonda e parë në të fundit ekipin kuksian. Sigurisht që një atmosferë e tillë mungonte prej 4 vitesh për Kukësin dhe padyshim që i dha një motivim shtesë lojtarëve në fushën e lojës. Ekipi i Longos ka provuar disa herë të gjejë rrugën e rrjetës, por pa patur sukses. Skuadrat duhet të mjaftohen me nga një pikë nga ndeshja e sotme, duke ruajtur kështu pozicionet respektive në tabelën e renditjes në “Abissnet Superiore”. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli“ në “Supersport”.

Longo (Kukësi): “Nuk jam i kënaqur. E donim shumë fitoren për veten tonë, për punën tonë, për tifozët dhe për këtë investim. Por Laçi është shumë i fortë dhe e kanë treguar këtë. Por edhe ndeshja tjetër mes Vllaznisë dhe Partizanit ka përfunduar 0-0. Më në fund jemi në shtëpi. Është shumë e rëndësishme. Kur luan në shtëpi me njerëzit e tu bën diçka më tepër. Jemi të kënaqur të luajmë për ta dhe të japim maksimumin tonë. Provuam deri në pikën e fundit të fuqisë për të fituar këtë ndeshje. Nuk është lojë e lehtë. Të luash kundër një Laçi që ka lojtarë si Guindo dhe Adeleke që në kundërsulm janë shumë të shpejtë është shumë e vështirë. 5 ndeshje pa fitore, por kanë qenë 5 ndeshje ku ne kemi kontrolluar lojën. Dy ndeshjet e fundit nuk dua ti kujtoj. Me Kastriotin ishte  një turp. Jemi të tretët, në fillim menduam se do të ishte  e pamundur të ishim aty. Në këtë moment jam shumë i fokusuar për të arritur vendin e tretë për këta tifozë. Ky është prioriteti ynë. Më pas, nuk ka rëndësi nëse do të jem unë apo dikush tjetër”.

Duro (Laçi): “Tani në fund bëhen edhe llogaritë. Kishim një kundërshtar direkt. Objektivi ishte të mos humbnim. Barazimi ishte shumë i drejtë, por edhe mund ta fitonim takimin. Mazrekaj luajti shumë mirë. Në çdo kontakt me topin ishte problematik. Nuk ka qenë i shkëlqyeshëm. Të gjithë mendonin që do e fitonte Kukësi, por nuk fitohet me inagurime dhe me festa. I thashë çunave që të luajmë futboll dhe të mos influencohemi nga ndonjë faktor i jashtëm. Përshtypjet për stadiumin? Mezi e prisnim para se të vinim. Janë ambinete që ta rrisin personalitetin. Ambient i mrekullueshëm. Kishin ardhur personalitete. Ishte diçka mjaft e bukur. Futbolli jonë ka pasur zhvillime infrastrukturore vit pas viti. Të duket vetja tamam njeri. Unë e kam thënë që është një arritje historike nëse dalim në vendin e dytë. Aq më shumë nëse fitojmë Kupën. Por të vjen keq, sepse nëse do kisha vazhduar pa shkëputje, kjo skuadër do lu.ftonte për titull kampion. Nuk më pëlqen kjo diferencë kaq e madhe me Tiranën”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *