Nga Puka e deri në Ballsh, aty ku shumë lojtarë mund të luajnë pa problem edhe në elitë
Erjon Saliu
Kategoria e Parë apo dhe inferiorja në përgjithësi, historikisht ka prodhuar lojtarë, të cilët jo vetëm janë cilësuar si “zbulim” kur kanë shkuar në një ekip të një niveli më të lartë por edhe kanë spikatur duke u bërë pjesë e Shpresave apo dhe Kombëtares. Imami dhe Guri te Kukësi dy vite më parë spikatën te Korabi e Dinamo…. Pa harruar edhe atë, një nga të rinjtë më të mirë të Superiores sezonin e shkuar, Kristal Abazajn. Një vit më parë, la Elbasanin dhe nisi provën në Gjirokastër, aty ku pas një viti “stazh” fitoi, jo vetëm një vend në Shpresa U-21, por u bë nga lojtarët më të spikatur në elitë. Por ka edhe shumë të tjerë, të cilët lanë gjurmë edicionin e shkuar në të Parën. Nga Puka në Ballsh ka shumë futbollistë të rinj shqiptarë, të cilët duan më pak kosto se të huajt anonimë, qofshin ato bileta avioni apo shpenzime të kota. Duke pasur parasysh edhe faktin se shumë prej lojtarëve të huaj, vetëm origjinën kanë nga Brazili apo Nigeria, Gambia e Guinea, sepse me futbollin nuk kanë lidhje! Ose për të mos i “goditur” kaq fort, jo vetëm që nuk bëjnë dallim me lojtarët tanë, por janë nën nivelin e tyre…
Tërbuni – Kuka në portë, Beci në mbrojtje apo dhe Osmanollaj i cili ka firmosur në Bullgari. Tre lojtarë të “pjekur” por që mund të luajnë shumë mirë në elitë.
Besëlidhja – Nga Demi te Sidibe e Sekou Kamara apo Ndreca. Tre të fundit të larguar në Superiore, pak ditë më parë. Pa harruar edhe Marashin e Hepajn, janë lojtarë që bën një performancë shumë të mirë edicionin e shkuar.
Burreli – Dy nigerianët Husein në mbrojtje e Çinoso në sulm, janë dy futbollistë që kanë treguar rritje. Por edhe Ajazi me golat e tij dha shenja pozitive se e meriton një test në Superiore…Tashmë është akoma më i “pjekur” se pak vite më parë në Laç ku dha “shkëndija pozitive”.
Kastrioti – Lila në mbrojtje, pa harruar edhe Markun e Kabirunë, janë lojtarë cilësorë.
Besa – Selaci në portë e Hasa në sulm por edhe Isak Kamara, futbollistë që me eksperiencën që kanë mund të bëhen kontigjent të ekipeve të elitës. Por, edhe Osmani, Brahimaj e sidomos Cara, janë një premtim i madh, jo vetëm për futbollin kavajas, por edhe për Shpresën U-21, pse jo edhe Kombëtaren. Mbajini shënim, sidomos tri emrat e fundit…
Erzeni – Teqja në mbrojtje por edhe Troplini e Lleshi të cilët janë nën 25-vjeç premtojnë shumë. Ekipet e elitës kanë filluar që të hedhin “grepat” në Shijak por vështirë se mund të ketë largime…
Kamza – Gjonikaj që spikati por edhe Mehmeti apo Koleci janë të rinj që po të kenë hapësirat e duhura shpërthejnë në elitë, Rezi lëviz kudo në fushë dhe e meriton një shans elitar.
Lushnja – Magani e Branica mbeten për t’u parë në elitë, të tjerët janë në fund të karrierës. Lushnja ka humbur shkëlqimin e dikurshëm me moshat dhe do ta vuajë jo pak në të ardhmen e afërt…
Bylisi – Dramolli i cili është vetëm 18-vjeç luajti në pjesën e dytë të sezonit dhe priti penallti. Akrobat dhe me shumë të ardhme apo dhe Kolgegaj tashmë 22-vjeç me i pjekur i fortë dhe me goditje potente ne qoftë se iu jep një shans në elitë mund të shpërthejnë. Pa harruar edhe Buzin e Hyskon dy nga më të mirët te Sopoti e Dinamo vjet….
Pogradeci – Mali në portë, Shyti, Liçkollari, Shkulaku e Zeqollari. Por edhe Alillari e Bangoura në sulm. Nga 19-24 vjeç lojtarë të cilët janë në fokusin e shumë ekipeve të elitës.
Shkumbini – Turhani ëahtë një futbollist që luan në mbrojtje shtatlartë dhe shumë i fortë në ajër….Por edhe Fadil Meta ka fituar eksperiencën e duhur dhe nje shans në elitë, natyrisht që mund t’i shërbente për më shumë anësorit peqinase.
Tomori – Kaloshi në portë, Bitri në mbrojtie, por edhe Myzyri e Sharavolli në mesfushë. Por Aldrin Oshafi është një premtim në Berat. Bitri iku në Lushnjë, të tjerët shumë shpejt do të ndjekin rrugën e tij, ndoshta që në janarin e ardhshëm apo edhe më herët, që këtë verë…
Apolonia – Çako, Broshka, Uzunin e Krasniqi janë futbollistë që edhe kanë pasur oferta në periudha të ndryshme nga elita. Më i madhi prej tyre Hysenshahaj është me të vërtetë një “as nën mëngë” që edhe tri vite më parë në elitë të linte gjurmë! Një “zbulim” është Braka. Le të presim!
Elbasani – Gjinaj, Zizi, Kasa, Peqini e Luta janë lojtarë me të ardhme të sigurt që mund të ndjekin gjurmët e Kristal Abazajt i cili një vit më parë në këtë periudhë nisi provën në Gjirokastër. Në Elbasan ka “lindur” futbolli, ndaj edhe çdo vit nuk mungojnë edhe talentet!
Sopoti – Thaçi por edhe Linuma e Peçi në mesfushë. Pa harruar edhe Mumajesin. Librazhdasit edhe pse ranë ndoshta pa e merituar, në përbërje kishin disa talente që kudo mund të “shpërthejnë”. Madje, nuk është çudi që ndonjë prej tyre ta shohim në elitë në sezonin e ri që starton në shtator. Në Shqipëri, funksionon me emër, por asnjëherë nuk duhet të nisesh nga emri, sidomos në futboll ku të nevojiten vetëm gjunjtë!
Turbina – Daci në mbrojtje, një lojtar shtatlartë e energjik por edhe i pjekur. Ovihaon, nigeriani me pasaportë italiane bëri shumë në pjesën e dytë të garës…
Dinamo – Caca, Ejoh, Murataj, Allmuça, Shaba në qoftë se do t’u jepej një shans në elitë mund të tregojmë vlera. Dinamo jo më kot quhet edhe shkollë futbolli në Shqipëri!