“Do tërhiqem vetë”, Isli Hidi flet për ekipin e ri dhe mbylljen e karrierës: Dua të shënoj edhe këtu me penallti

Isli Hidi ka nisur një aventurë të re tek Kastrioti, duke lënë pas një vit me paraqitje të mira te Bylisi. Madje do të linte pas vetes edhe shumë sulmues të Superiores, pasi u kthye në golashënues nga pika e bardhë e penalltisë.

Në një intervistë për “Supersport”, Hidi tregon se përgjegjësinë e 11-metërshave mund ta mbajë edhe te Kastrioti. Ndërsa kur flitet për mbylljen e karrierës, gardiani do ta japi vetë deklaratën e dorëheqjes në momentin që do të shoh se trupi i tij nuk do t’i përgjigjet më intensitetit të ndeshjes.

“Kam pasur kontakte të vazhdueshme me ekipin e Kastriotit, por kemi rënë dakord vetëm në këto momente dhe tani jam pjesë e skuadrës. Është një ekip i ri, por besoj që ka edhe lojtarë me eksperiencë, ndaj shpresoj të bëjmë mirë dhe të arrijmë objektivat e klubit.

Është e vërtetë dhe ishte një sfidë për mua, të cilën e pranova me përgjegjësi dhe kënaqësi. Jam mësuar me të tilla sfida dhe besoj që sezonin e kaluar ka qenë një vit pozitiv, që u bë edhe më i bukur me golat që ndihmuan ekipin. Nëse do më caktohet edhe këtu të gjuaj penalltitë, do ta pranoj me kënaqësi.

Unë ndihem mirë dhe kam kënaqësi të vazhdoj, pasi kam formë të mirë dhe e shoh që mund të jem akoma i dobishëm për ekipin. Nëse do shoh se nuk mund të jap më në fushë, do tërhiqem, por për momentin kam akoma mundësi për të kontribuuar në fushë”, u shpreh Hidi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *