Armando Sadiku po kalon një formë të mirë me Cartagenan në Spanjë. Sulmuesi pret që të rikthehet te Kombëtarja pas ndryshimit të trajnerit. Me Rejën në krye, Sadiku i humbi të gjitha shanset për të veshur fanellën e kuqezinjëve. Tashmë sulmuesi pret se situata do të ndryshojë me Sylvinhon. I ftuar në “Oversport”, Sadiku u shpreh:
“Sylvinho? Do të sjelli energji dhe frymë të re. Vjen nga Brazili dhe atje futbollin e dua shumë. Unë kam pasur fatin që kam luajtur në Amerikën Latine dhe e di sesa e përjetojnë atje. Reja? Nuk më grumbulloi më. Kisha disa dëmtime dhe probleme familjare, u largua nga mua. Reja më ka thënë se isha lojtar shumë individualist dhe nuk përfshihesha në skemën e tij. Besoj se tani mund të kthehem prapë me ardhjen e Sylvinhos.
Shpresoj se Sylvinho të vijë dhe të na shoh, ka caktuar Zabaletan që të merret me lojtarët shqiptarë që luajnë në Spanjë. Më thanë tre lojtarë argjentinas që i kam shokë ekipi këtu te Cartagena: “Mungon Armando Broja, kthehet Armando Sadiku”. Uroj shumë që të kthehem. Me Uzunin flasim shpesh në “Whats App”. Po bën një sezon të mirë dhe jam i kënaqur për të”, tha Sadiku. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/