Sampdoria nuk arriti të siguronte ngjitjen në elitë këtë sezon, prandaj po përpiqet të ndërtojë ekipin e duhur për të arritur objektivin e saj, që është Seria A. Sipas “La Reppubblica”-s, Etrit Berisha është një nga emrat që parapëlqehet nga drejtuesit e klubit italian. Buxheti është i kufizuar, për këtë arsye afrimi me parametra zero i një portieri si Berisha do të ishte një goditje e duhur.
Ndërkohë jo vetëm Berisha, por një tjetër lojtar shqiptar mund të jetë nën urdhërat e Andrea Pirlos në sezonin e ardhshëm. Në listën e sulmuesëve gjendet edhe emri i Stiven Shpendit. Ky i fundit nuk arriti të linte ndikimin e tij në Serinë A me fanellën e Empolit, çka nuk e përjashton mundësinë e huazimit në Serinë B. Në radhët e Sampdorias, Shpendi do të ketë mundësinë të marrë leksione nga një prej ikonave të futbollit italian dhe atij botëror, si Andrea Pirlo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/