Rrugët e Alesio Romanjolit dhe Milanit mund të ndahen në merkaton e verës, ndërsa një situatë e tillë nuk mund të lihet pa u shfrytëzuar nga Tare. Lazio duket se pëlqen idenë e të pasurit të kapitenit të kuqezinjve në prapavijën e tyre. Për pesë vite ka qenë një element tepër i vlefshëm për ekipin e Milanit, por duket se projekti i “djajve” ka ndryshuar dhe për këtë arsye Romanjoli mund të bëjë gati valixhet e të largohet.
Ndërkohë mediat italiane bëjnë me dije se Tare po luan kartat e tij për të bërë goditjen e radhës e të veshë bardhekaltër më të mirin e Milanit, por këtë herë ka të bëjë me Raiolën. Ky i fundit është menaxheri i lojtarit 25-vjeçar dhe njihet për aftësitë e mëdha negociuese, duke ia dalë që të plotësojë kërkesat e lojtarëve të tij dhe ato personale. Megjithatë Tare e ka treguar këto vite se është një nga më të mirët në postin e tij, edhe pse këtë herë puna nuk do jetë edhe aq e lehtë, pasi do i duhet të bindë një nga menaxherët më të vështirë në botën e futbollit, që di si të hapë telashe./Sport Ekspres/