“Do ta vlerësojmë maksimalisht Moldavinë”, Armand Duka premton: Shqipëria bën gjithçka për ta bërë këtë vitin historik të Kombëtares

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për emisionin “Klan News Sport” në televizionin “Klan News” ku ka folur gjatë për sukseset e vitit 2023, rezultatet e mira sportive të Kombëtares, zgjedhjen e tij si Zv.President i UEFA-s dhe arritjen historike për organizimin e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar deklaroi se nëse arrihet kualifikimi ky do të jetë viti më i suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar.

Ndër të tjera, Presidenti Duka nënvizoi se objektivi për të shkuar në Gjermani 2024, ende nuk është arritur dhe se Kombëtarja duhet të marrë maksimumin në dy ndeshjet e fundit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe për ta mbyllur në vendin e parë në Grupin E.

Më poshtë intervista e plotë e realizuar me gazetaren Viola Spiro:

Viti 2023, më i miri në historinë e Shqipërisë –  Padyshim që viti 2023 është një nga vitet më të suksesshme të futbollit shqiptar, për të gjitha ngjarjet, zhvillimet, aktivitetet që kanë ndodhur deri më sot. Janë shumë të rëndësishme ato që thatë ju, por më të rëndësishme janë organizimet që ka bërë FSHF në Shqipëri, në disa turne të ekipeve kombëtare të ndryshme, me rreth 10 turne. Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për të organizuar në Shqipëri ‘Euro 2025’ për moshat nën 17 vjeç, një aktivitet shumë i rëndësishëm europian, mund të them që është maksimalja që mund të arrijë një vend si Shqipëria, gjë e cila erdhi si rrjedhojë e gjithë këtyre organizimeve, e gjithë kësaj eksperience, e besimit që ka krijuar administrata dhe komuniteti futbollistik shqiptar tek UEFA, për të marrë këtë vendim. Zhvillimet në UEFA, zgjedhja e Presidentit të Federatës si ZëvëndësPresident i UEFA-s, por qershia mbi tortë është ajo që është edhe më e prekshme, më e dashur, që mbështesin më shumë të gjithë shqiptarët, janë rezultatet dhe performanca fantastike e ekipit kombëtar, por edhe e ekipeve të tjera kombëtare të përfaqësueseve shqiptare. Performanca kryesisht e ekipit të djemve A dhe rezultateve të saj. Edhe ekipet e tjera kanë bërë rezultate të mira, duke filluar që nga Kombëtarja e madhe e vajzave apo edhe ekipet U-19 dhe U-21. Në total ky vit është i suksesshëm, nga më të suksesshmit e historisë së futbollit shqiptar. Presim dhe dy ndeshje për ta vënë me të vërtetë qershinë mbi tortë për vitin 2023, si viti më i suksesshëm i historisë shqiptare.

Përjetimi personal i sukseseve të arritura – Nuk është një sukses individual, qoftë drejtimi në FSHF, apo pranimi në Komunitetin Ekzekutiv të UEFA-s, apo ZëvëndësPresident i UEFA-s. Jo vetëm sepse futbolli është lojë kolektive, por sepse kjo është motoja e punës time. Unë punoj në ekip, jo në ekip të ngushtë por në ekip të gjerë me të gjithë. Kështu të gjitha sukseset e arritura janë suksese të të gjithë ekipit. Padyshim që në krye të ekipit do të jetë një njeri dhe në këtë rast fatin e kam unë që të jem. Padyshim që kam bërë më të mirën e mundshme gjithmonë për futbollin, sepse e ndjej ta bëj. Është një gjë që vërtetë më kënaq, është një gjë që e kam pasion. Në momentin që unë nuk e kam pasion nuk e bëj, nuk vazhdoj ta bëj dhe jam i lumtur e i kënaqur që vërtetë njerëzit vlerësojnë zhvillimet e futbollit shqiptar qoftë në arenën kombëtare, qoftë në përfaqësimin e saj ndërkombëtar, me një individ apo më shumë, sepse vërtetë unë jam zgjedhur ZëvëndësPresident i UEFA-s, por është rezultat i punës në grup, sepse janë shumë të tjerë nga futbolli shqiptar që përfaqësohen në institucionet ndërkombëtare të futbollit, UEFA apo FIFA. Si asnjëherë më parë domethënë vit pas viti dhe kjo sepse ne të gjithë si ekip kemi justifikuar besimin e dhënë për të kontribuar, jo vetëm në zhvillimin e futbollit shqiptar por edhe në atë europian. Jemi rekord europian për organizimin e turneve kualifikues, për çdo gjë që është në limitet organizative të një vendi dhe me infrastrukturën që ka Shqipëria. Nuk ka asnjë vend në Europë që organizon kaq shumë turne kualifikues për mosha. Vetëm këtë vit janë organizuar 10 turne. Çdo vit ne jemi të parët që kërkojmë turne, jo vetëm kur luan ekipi shqiptar, por edhe ekipe të tjera. Jemi bërë profesionistë dhe i organizojmë në mënyrë profesionale dhe të gjithë ekipet që vizitojnë Shqipërinë kryesisht sportive, janë të kënaqur dhe pranojnë të jenë përsëri pjesë e këtyre turneve.

Nga viti 2002 kur u zgjodhët për herë të parë si Presidenti i FSHF-së e kishit menduar se do të arrini të gjithë këto suksese? – Në fakt kemi kaluar ditë të vështira, vite të vështira. Në përgjithësi shoqëria shqiptare është zhvilluar shumë në këtë periudhë, gjithashtu edhe futbolli është zhvilluar shumë. Nëse kam menduar që në të vërtetë do të arrinim kaq shumë suksese, ka qenë e vështirë. Në mendjen time i kam pasur si objektiva, por gjithsesi kanë qenë të vështira. Kemi filluar në një infrastrukturë sportive apo organizative minimaliste, duke u nisur që nga infrastuktura apo njerëzit që përbëjnë institucionin e futbollit. Sot FSHF është një organizatë vërtetë solide me baza të shëndosha në të gjitha këndvështrimet teknike, organizative dhe financiare. Infrastruktura sportive ka ndryshuar shumë, padyshim që ka nevojë akoma më shumë. Rezultatet e ekipit kombëtar janë fantastike. Dikur ishte ëndërr e parealizueshme, utopike që ne të ishim pjesë e një turneu Europian apo Botëror. Sot jemi në prag të pjesëmarrjes për herë të dytë në një turne të tillë dhe pse jo me objektivin për të qenë pjesëmarrës në Kupën e Botës me ekipin Kombëtar. Ëndrrat e realizuara janë vërtetë të bukura, objektivat janë vërtetë në maksimumin e tyre. Padyshim që ka shumë gjëra që mund të bëhen më mirë dhe siç thuhet që aq më lart aq më e vështirë bëhet, sa më lart ta vendosësh stekën aq më e vështirë bëhet që ta kalosh atë, sepse njerëzit objektivat i vendosin më lart. Kështu që akoma më e vështirë është për të gjithë, për të bërë akoma më shumë, për të shkuar akoma më lart. Fitoret të rrisin në futboll, kur bën fitore krijon më shumë besim për të bërë fitore të tjera.

Posti i ZëvëndësPresidentit të UEFA-s, do të ketë Shqipëria më shumë përfitime në infrastrukturë ?– Në aplikimin e projekteve infrastrukturore për futbollin shqiptar, mendoj që mund të jemi nga federatat lider në Europë, për mënyrën se si qasemi, për projektet që ne aplikojmë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që një projekt i joni të mos pranohet apo të kthehet. Posti i ZëvëndësPresidentit do të jetë një faktor më shumë për të realizuar këto projekte, është mirë për futbollin shqiptar. Megjithatë unë nuk jam aty vetëm për të favorizuar Shqipërinë, por jam për të bërë më të mirën dhe për të justifikuar besimin e atyre që më kanë zgjedhur, për të bërë vendime, politika dhe strategjitë e duhura për zhvillimin e futbollit Europian, për të pasur sa më shumë fëmijë në të gjithë Europën që i bashkohen lojës tonë, për të pasur evente të nivelit më të lartë siç edhe ne i kemi në UEFA. Unë besoj që UEFA Champions League është eventi më i mirë i globit për të gjithë fushat e jetës, por t’i bëjmë akoma edhe më shumë profesionale dhe më shumë njerëz t’i bashkohen lojës tonë.

Ambicia më e madhe në lidhje me eventet që mund të organizohen në Shqipëri – Për momentin që jemi, ne kemi marrë maksimumin e asaj që mund të organizojmë me infrastrukturën që kemi. Edhe finalja e Conference League që ne kemi organizuar ishte shumë i suksesshëm. Në fakt ishte një fillimi shumë i suksesshëm për vetë kompeticionin në Tiranë. Nuk e di nëse ishte për meritën tonë që e organizuam shumë mirë, apo të ekipeve që ishin. Edhe për këtë aktivitet u vendos një qëllim më i lartë dhe do të duhen stadiume me kapacitete më të mëdha që ne aktualisht nuk i kemi dhe uroj që t’i kemi në të ardhmen. Organizimi i Kampionatit Europian nën 17 vjeç në Tiranë është maksimumi i eventeve që mund të bëjmë, me premtimin që mund të plotësojmë infrastrukturën edhe për të, sepse akoma nuk e kemi 100 % të gatshëm, por do ta realizojmë në 2025-n. Për të tentuar evente më të mëdha duhet të investojmë më shumë, duhet të kemi një infrastrukturë akoma më të përshtatshme dhe pse jo në një të ardhme më të afërt të paktën të pretendojmë organizimin vetëm apo me një shtet tjetër të një Kampionati Europian nën 21 vjeç.

Dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kombëtares – Objektivi i ekipit kombëtar dhe ajo që ne mendonim si objektiv të realizueshëm dhe gjëja më e mundshme ishte që ne të vinim në dy ndeshjet e fundit në luftë për t’u kualifikuar, të vinim për t’i fituar këto dy ndeshje dhe të kishim një biletë për në Gjermani 2024. Tashmë kemi arritur më mirë, na duhet vetëm një pikë. Para se të realizoheshin këto rezultate, para se të fitonim ndaj Polonisë dhe Çekisë unë, ekipi dhe i gjithë stafi ishim të lumtur nëse do të realizonim objektivin për të ardhur para këtyre dy ndeshjeve në një klasifikim të tillë, që t’i luanim këto dy ndeshje si finale. Pasi kemi fituar me Çekinë kam menduar që çdo gjë u mbyll, por çdo ditë që kalon aq më tepër preokupohem dhe them që jo, nuk është mbyllur. Çdo ditë kalon dhe më shumë shtohen emocionet. Ne do shkojmë të luajmë në Moldavi ndaj një kundërshtari shumë të fortë dhe të organizuar, një kundërshtar që nuk ka humbur asnjë ndeshje në këtë kompeticion në shtëpinë e vet. Ka barazuar kundër Çekisë dhe Ishujve Faroe dhe ka fituar kundër Polonisë në shtëpi, ka kualitete të mira brenda dhe do jetë me të vërtetë shumë e vështirë. Duhet një impenjim maksimal, duhet një vlerësim kundër një kundërshtari që po pret për të marrë një biletë për në Gjermani. Nëse ne vërtetë do të arrijmë ta vlerësojmë maksimalisht, të kemi një impenjim maksimal dhe të lusim Zotin që futbollistët të jenë mirë dhe të shëndetshëm në ndeshje, mund të bëjmë mirë dhe pse jo të marrim një pikë të paktën në Moldavi, për ta vulosur kualifikimin në Euro 2024. Jua thashë edhe më parë nëse do të më pyesnit mua dhe të gjithë të tjerët, do të ishim të lumtur edhe me më pak pikë, për t’i luftuar këto dy ndeshje për të shkuar në Gjermani, tani do t’i luftojmë këto dy ndeshje vetëm për një pikë. Megjithatë nuk kemi pse bëjmë matematikë, nuk kemi pse të luajmë për një pike, do të luajmë për më shumë se sa një pikë, do të luajmë për të qenë të parët në grup dhe për të vulosur një sezon apo një vit 2023 si më të mirin në historinë e Shqipërisë.

Atmosferë më e mirë mes lojtarëve – Kemi kualitet më shumë se sa më parë, në skuadër, në staf. Sylvinho padyshim ka bërë një punë fantastike, sepse në fund të fundit ai është regjisori që bashkon skuadrën. Është një luks i madh për ne, për një skuadër si Shqipëria. Në të gjithë historinë e saj nuk ka ndodhur që trajneri të ketë dhimbje koke se kë të ftojë, sepse janë të gjithë të mirë, janë më shumë se 23 që e meritojnë. Gjithashtu edhe kë duhet të aktivizojë nga minuta e parë, është luks për ne. Nëse do të shohësh stolin e Shqipërisë, të kesh tre lojtarë nga La Liga, Balliun, Uzunin apo Keidi Baren, futbollistë shumë të mirë që mund të jenë në fushë. Gjithashtu edhe lojtarë nga Premier League, Broja edhe pse ka qenë i dëmtuar. Kualiteti është i mirë, ato që janë në fushë të gjithë marrin minuta, luajnë në ekipe të mira apo të nivelit të mesëm. Ne kemi me të vërtetë një kualitet shumë të mirë në ekip. Jo rastësisht kemi ardhur këtu, është rezultati i kualitetit, i impenjimit maksimal. Kualiteti nuk fillon vetëm nga këmba por fillon nga koka, i kemi me kualitet qoftë në kokë, qoftë në zemër apo në këmbë dhe kanë arritur deri këtu. Dallimi midis një skuadre profesioniste dhe një që tenton të bëhet profesionist është që dinë të vlerësojnë në të njëjtin nivel të gjitha ndeshjet. Nëse nuk arrin të vlerësosh në të njëjtin nivel të gjitha ndeshjet nuk je profesionist. Skuadra është para këtij testi, vërtetë ka kualitet, por ne nuk jemi skuadra e nivelit A, për të shkuar te niveli më i lartë duhet të jemi seriozë në çdo ndeshje. Nëse shihni futbollistët e mëdhenj apo skuadrat e mëdha, nuk ekzistojnë kundërshtarët e dobët në futboll. Futbolli është një lojë interesante, e bukur dhe e surprizave, kështu që je më i mirë kur ti luan më mirë, kur t’i e vlerëson maksimalisht. Duhet ta kalojmë edhe këtë test, që vërtetë të tregojmë që jemi një skuadër që pretendojmë për të shkuar drejt skuadrave të nivelit “top”.

Afrimi i lojtarëve të rinj në kombëtare – Politika jonë ka qenë gjithmonë që çdo lojtar shqiptar duhet të luajë për Shqipërinë. Ne nuk kemi afruar në Kombëtare futbollistë që nuk flasin shqip apo nuk janë me origjinë shqiptare. Të gjithë e kanë derën e hapur. Padyshim që kemi kualitete shumë të mira që deri tani akoma nuk kanë vendosur për të përfaqësuar Kombëtaren shqiptare. Kemi lojtarë që luajnë me Kombëtare U-21, që janë vetëm pak centimetra afër ekipit A, po kjo nuk do të thotë që duhet të ndodhë në një muaj, apo duhet të ndodhë para Europianit, qoftë për ato që janë në kombëtaren nën 21 vjeç, qoftë për ato që akoma nuk kanë preferuar për të luajtur me Shqipërinë, por në një perspektivë të afërt mund të ndodhë. Ne kemi lojtarë në Itali shumë të talentuar të moshave të reja, në Gjermani. Të gjithë i kemi ftuar, do të vazhdojmë t’i ftojmë dhe t’i rikujtojmë që duhet të luajnë për Shqipërinë.

Rinovimi i kontratës me trajnerin Sylvinho – Për të qenë i sinqertë asnjëherë nuk kam diskutuar me Sylvinhon. Ai nuk ka kërkuar të bisedojmë dhe as ne, sepse kemi qenë të përqendruar në objektivin që kemi. Nëse je profesionist i mirë duhet të përqendrohesh në ato që ke përpara. Padyshim që duhet të mendosh edhe diçka për të ardhmen. Mendimi jonë është pozitiv, por kjo është diçka që duhet të diskutohet në tavolinë. Nuk kemi një klauzolë automatike për rinovim të marrëdhënies të kontratës me trajnerin Sylvinho dhe stafin e tij, por ne jemi pozitiv nuk ka arsye se pse mos të jemi të tillë, duke patur parasysh të gjithë këtë që kemi ndërtuar bashkë, gjithë rezultatin e arritur së bashku. Jemi pozitivë për të vazhduar.

Premio në rast kualifikimi – Premio kanë gjithmonë ekipe, jo vetëm ekipi A por të gjitha ekipet. Premio të cilat ne nuk preferojmë dhe nuk kemi preferuar t’i bëjmë publike. Janë të përcaktuar që pa filluar edicioni. Kemi përcaktuar premio për ndeshje apo për kualifikim dhe futbollistët e dinë tashmë. Por ajo që arrin për fanellën dhe aty ku t’i e çon fanellën mbetet gjatë në histori, lekët harxhohen shpejt.

Mbështetja e madhe në Gjermani nga tifozët – Në ndeshjet kualifikuese ka qenë një mbështetje fantastike. Stadiumi si asnjëherë tjetër ka qenë i tejmbushur, me kërkesa shumë më shumë se sa kapaciteti që ka. Shqiptarëve mbase i kanë munguar aktivitetet që duhet të shprehin ndjenjën kombëtare dhe kanë gjetur një fushë në të cilën mund ta shprehin lirshëm, ta shpalosin ndjenjën dhe dashurinë që kanë për ngjyrat kuqezi, për atdheun e tyre. Shqiptarët që jetojnë në vendin e tyre dhe jashtë saj, të gjithë mundohen të vijnë ta mbështesin ekipin në shkallët e stadiumit, e mbështesin edhe atje ku jetojnë. Kemi parë pas rezultateve që kanë skuqur sheshe e ambiente në shumë vend të botës dhe Europës. Edhe në ndeshjen kundër Bullgarisë, stadiumi ishte i mbushur dhe kam bindjen që kanë filluar të kërkojnë bileta për Gjermani. Të gjithë shqiptarët duan të vijnë në Gjermani, ne kemi një komunitet shumë të madh që jeton atje dhe jam shumë i sigurt që do të kemi sërish një mbështetje të madhe. Siç edhe thuhet janë lojtari i 12-të, por tifozët e Shqipërisë janë më shumë se sa lojtari i 12-të dhe i japin shumë energji ekipit kombëtar për të shkuar përpara.

Akomodimi në Gjermani – Në fakt ne jemi të detyruar të marrim masa për akomodimin në Gjermani. Kemi vizituar disa qëndra stërvitore bashkë me hotelin që mund të akomodohet ekipi në rast kualifikimi, nëse do bëjmë mirë në këto dy ndeshje. Kam besim që do të bëjmë mirë, por do të duhet të përcaktojmë një vend fiks vetëm pas sigurimit të kualifikimit dhe pas shortit të 2 dhjetorit në Hamburg. Duhet të shohim edhe vendet se ku do të luajnë skuadrat. Uroj që ne të shkojmë në Europian, të kemi një short të mirë dhe të kalojmë një muaj qershor – korrik shumë të bukur.

Menaxhimi i kohës pas zgjidhjes si ZëvëndësPresidenti i UEFA-s – Kur të pëlqen ajo që bën, kohë ka. Kur nuk të pëlqen ajo që bën, koha është gjithmonë e pamjaftueshme. I bëj me kënaqësi dhe uroj që t’i bëj sa më gjatë me kënaqësi të gjitha ato që bëj, punët e mia, qoftë edhe përkushtimin familjar, apo përkushtimin për aktivitetet sportive në Shqipëri edhe jashtë saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *