Shkëlqim Muça ishte i ftuar në “Soccer Talk Podcast” që drejtohet nga ana e trajnerit të njohur, Skënder Gega. Muça ka dhënë vlerësimin e tij për kampionatin shqiptar të këtij sezoni, por nuk ishte shumë optimist për Tiranën për shkak të lëvizjeve që ka bërë në merkaton e verës.
“E ndjek kampionatin shqiptar me vëmendje. Më pëlqejnë ekipe si Laçi, ka futur shumë djemë të rinj. Ata thonë: “Në rregull, nuk dalim kampion, por le të rrisim lojtarë”. Kështu ata marrin lojtarë të rinj, i zhvillojnë dhe përfitojnë duke i shitur më vonë. Më pëlqen edhe Teuta, që kanë lojtarë të rinj.
Nuk më pëlqen Tirana që ka pasur lojtarë të talentuar dhe i ka hequr si Gjumsi apo Nikqi, i ka dërguar në ekipe të tjera. Dhe ka marrë lojtarë që i janë rikthyer futbollit, kanë shkuar në ekipe jashtë, kanë dështuar andej dhe vijnë prapë si Hoxhallari, Doka, Mici. Mua nuk më pëlqen, sepse kanë shkuar në Europë dhe nuk kanë ecur dot atje”, tha Muça.
Gjithashtu ka pasur një batutë mes trajnerëve. Skënder Gega e ka pyetur Muçën për një rast hipotetik: “Nëse Tirana nuk do të jepte vazhdimin e kontratës si lojtar dhe Partizani të jepte një ofertë të mirë, do të shkoje?”.
Përgjigja e Muçës ishte e prerë: “Po, do të shkoja. Nuk kam qenë te ajo pjesa e tiranasve të vjetër, nuk i kam pasur ato komplekse”. Më pas e menjëhershme ishte edhe batuta e Gegës: “Ju nga Tirana vini gjithmonë te Partizani, e kundërta nuk ndodh”, tha mes batutës Gega. /Sport Ekspres/