Lionel Messi është në fund të kontratës me Barcelonën, e cila mbaron në 2021 dhe ka disa thashetheme se argjentinasi nuk do të rinovojë me klubin. Një nga arsyet kryesore është rënia e lirë e formës së katalanasëve që pas largimit të mesfushorit kryesor, Iniesta. Ekipi i Barcelonës ka dështuar të fitojë trofeun e Champions League që prej 2015-ës.
Skuadra favorite për të marrë shërbimet e lojtarit është padyshim Mançester Siti. Një nga arsyet kryesore pse të gjitha spekulimet flasin për një kalim të Messit tek “qytetarët” konsiston në faktin se klubi drejtohet nga Guardiola. Tekniku spanjoll dhe argjentinasi kanë një lidhje të shkëlqyer së bashku, por për çudi vetë Guardiola nuk e dëshiron këtë transfertë. Në konferencën për shtyp në kuadër të ndeshjes përballë Newcastle, ai deklaroi se shpreson që Messi të qëndrojë te Barcelona. “Dëshira ime është që Messi të qëndrojë te Barcelona, ai atje ka kaluar gjithçka. Është një legjendë e klubi”- u shpreh Guardiola. /Sport Ekspres/