“Do shkojmë në Europian”! Berisha rrit shpresat dhe kujton pritjen më të bukur te Shqipëria, ndeshja që zgjati 15 minuta: Ndër fitoret më të ëmbla

Etrit Berisha ka fituar besimin e trajnerit Juriç. Portieri shqiptar ka fituar tashmë vendin e titullarit dhe po bind me paraqitjet e tij mes shtyllave. Në një intervistë për emisionin “Sport Magazine“, të moderuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News”, Berisha ka rrëfyer çelësin e suksesit të tij, sulmuesin më të vështirë që është hasur, pritjen më të bukur, raportin me Strakoshën dhe shqiptarët e tjerë të Serisë A, dhe sigurisht nuk mund të mungonte as Kombëtarja.

“Gjithmonë jam munduar të jap maksimumin, pikë së pari në ushtrime. Besimi në vetvete më ka bërë që gjithmonë të punoj sa më shumë dhe e kam ditur që një ditë do më vijë shansi. Kur të më vinte shansi doja të isha i përgatitur.

Sulmuesi më i vështirë? Për mua ka qenë padyshim Higuani. Sidomos te Napoli ka qenë jashtëzakonisht i rrezikshëm. Ka qenë shumë i vështirë të ndalohej. Ka pasur një teknikë dhe një përfundim aksioni fantastik. Më ka bërë dhe disa gola. Nga të gjithë lojtarët do zgjidhja atë.

Pritja më e bukur? Një nga pritjet që më ka pëlqyer më së shumti ka qenë kundër Maqedonisë, në minutën e fundit ndoshta. Ka qenë një ndeshje mjaft e vështirë për kualifikimet për në Botëror. Ndeshja fillimisht është ndaluar, pastaj filloi prapë ditën tjetër dhe pastaj u lejuan vetëm 15 minuta për të shënuar golin. Në minutën e fundit e patën edhe ata një rast një për një për të barazuar rezultatin dhe aty bëra një ndërhyrje të mirë dhe Kombëtarja jonë ka arritur kështu një nga fitoret më të ëmbla.

E ardhmja? Është shumë herët. Te Torino ndihem shumë mirë. Tani është momenti që mu dha rasti të luaj. Ndihem mirë si me qytetin, ekipin, çunat e ekipit, tifozët, familja ime ndihet mirë këtu. Kështu që shpresoj të vazhdoj.

Me Strakoshën kam kontakte më shumë, pasi kemi rolin të njëjtë. Kur bëjmë një lojë të mirë unë ose ai dëgjohemi dhe dërgojmë komplimente. Gjithashtu flasim gjithmonë kur jemi ndonjëherë në vështirësi. Po ashtu edhe me Gjimshitin, Hysajn, nuk po vijnë në mendje gjithë lojtarët. Kemi kontakte të vazhdueshme. Gjithmonë ka qenë kështu, pasi Tomasin e kam pasur gjithashtu te Lacio. Kemi pasur probleme të njëjtë, pasi herë luanim, herë s’luanim. Kemi pasur më shumë kohë që kemi kaluar së bashku. Kjo është ajo që na ka mbetur. Rivaliteti mbetet te Kombëtarja. Janë zgjedhjet e trajnerit, pasi me Tomasin kemi një raport shumë të mirë dhe nuk e mendoj në atë drejtim.

Ne kemi ekip shumë kompetitiv, sidomos tani që shumica e lojtarëve luajnë në Serinë A dhe në nivele të larta. Mendoj që këtë herë jam i bindur që do të kemi sukses. Vetëm shpresoj që të mos kemi dëmtime, pasi çdo tre ditë luajmë ndeshje. Përjashtimi i Rusisë na bën më shumë favorit. Mirëpo edhe po të jetë Rusia do të kemi mundësi shumë të mira për t’u kualifikuar.

Do shkojmë këtë herë në Europian, pasi e kemi ekipin. Kemi edhe trajnerin, që po ashtu i njeh të gjitë lojtarët. Ky është një plus i madh për neve. I druhem vetëm asaj që ndonjë lojtar mund të ketë ndonjë dëmtim. Ose një situate si me Poloninë ku kishim shumë dëmtime dhe lojtarë me Covid.

Lojtarët e rinj që kanë ardhur janë jashtëzakonisht kualitativ. Herën e fundit bëri debutim Asllani. Ka bërë një paraqitje jashtëzakonisht të mirë. Pra, kemi fituar një lojtar që ka kualitete jashtëzakonisht të mëdhaja dhe nëse vazhdon me këtë ritëm do të jetë me një ekip të madh. Mbrojtjen e kemi të gjithë pothuajse të Serisë A, pastaj kemi edhe mesfushën që është duke bërë shumë mirë. Kemi edhe sulmin. Kështu, i kemi të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar. Po të kemi pak fat dhe mos të dëmtohemi, jam i bindur që do të kualifikohemi”, ka deklaraur Etrit Berisha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *