“Do më duhet të fus portierët në sulm“/ Gasperini bën humor pas ndeshjes, Gjimshiti hedh kandidaturën: Do pyes të luaj sulmues

Berat Gjimshiti ishte njeriu i ndeshjes mbrëmjen e djeshme kundër Olimpiakosit. Mbrojtësi shqiptar tundu dy herë rrjetën e helenëve, duke përmbysur kështu shifrat në Bergamo. Në deklaratën e dhënë për “Sky Sport“ pas ndeshjes, Gjimshiti ka bërë humor për faktin se arriti të realizonte dopietë, duke thënë se do të kërkonte të luante sulmues ndeshjen e radhës.

“Folëm pas pjesës së parë, e kuptuam që duhej të zgjoheshim, pastaj fryma e pjesës së dytë ishte e drejtë. Unë sulmues pa Zapatën dhe Murielin? Po, më pas do të pyes nëse mund të luaj ndeshjen tjetër si sulmues (qesh). Le të shpresojmë për më të mirën për Murielin. Ai dhe Duvan janë sulmuesit tanë më të rëndësishëm. Më vjen mirë para së gjithash për fitoren, por edhe për golat që më kanë munguar prej kohësh“, ka deklaruar Berat Gjimshiti.

Ndërkohë vetë Gasperini ka pasur një përgjigje për batutën e Gjimshitit, duke e kaluar me humor situatën e vështirë që po kalon Atalanta në sulm për shkak të dëmtimeve. Trajneri i zikaltërve është shprehur se tashmë i mungon vetëm të përdorë portierët në vijën e parë të sulmit.

“Kemi periudha në të cilat lëndimet janë të përqendruara në një repart të caktuar: në tetor-nëntor mbrojtja, tani sulmi. Sot edhe Pasaliç debutoi në sulm. Do të më duhet të fus portierët aty, janë të vetmit që mungojnë“, ka thënë Xhanpiero Gasperini./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *