Kristi Vangjeli ishte i ftuar në studion e emisionit “Skaner“ në “MCN TV“ mbrëmjen e sotme. Zëvendës trajneri i Tiranës ka folur ndër të tjera edhe për strategjinë e klubit në merkaton e verës. Ish-mbrojtësi ka thënë se nëse do të vijnë oferta të kënaqshme për klubin, atëherë 3-4 elemente të bardhebluve do të liheshin të lirë për të provuar veten në një kampionat më të fortë.
“Personalisht do të doja që disa nga çunat që janë në ekip të kishin oferta dhe ti jepnin mundësi klubit që me ofertat e tyre ti japin prioritet për të vazhduar në kampionate më të forta. Do kisha shumë kënaqësi që të shikoja 3 ose 4 lojtarë nga ky ekip që të rriteshin duke ecur në ekipe akoma më të forta, siç ka ikur Muçi. Mund të vijë ndonjë element tjetër siç ka ardhur Totre këtë vit. Tregu sot është shumë i hapur. Ke shumë elemente për të gjetur dhe për të krijuar prapë të njëjtin grup. Mund të jetë edhe një politikë e klubit për të shitur lojtarët, duke parë se sa do i ofrojnë klubit.
Nëse nuk jepet mundësia për t’u shitur, me dy-tre elemente besoj se përforcohet grupi dhe për të krijuar një grup shumë -shumë të mirë për të ecur në Kupat e Europës. Diferencat nuk janë shumë të mëdha. Mund të heqësh 3-4 ekipe që janë me shumë diferencë nga niveli i vazove që janë. Pastaj duke parë edhe grupin e dytë, që është Europa League, atëherë është edhe pak më e thjeshtë për të vazhduar. Por mendimi është që nëse vijnë 2-3 oferta, për Seferin për shembull, që kënaqin klubin, unë do të uroja që Seferi ta bënte këtë hap në një kampionat më të fortë“, është shprehur Kristi Vangjeli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/