“Do ketë sanksione nga Komisioni i Disiplinës”, FSHF paralajmëron klubet shqiptare për fushat e stadiumeve

Terrenet e fushave të stadiumeve nuk kanë qenë në gjendje optimale javët e fundit, duke ndikuar kështu edhe në cilësinë e lojës. Kjo ka bërë që FSHF të vihet në lëvizje dhe të paralajmërojë klubet e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë që të mirëmbajnë fushën e stadiumeve të tyre.

Në të kundërt është ndëshkimi i Komisionit të Disiplinës ai që do i presë në rast se nuk garantohen kushtet e duhura të terrenit për të zhvilluar ndeshjet zyrtare. Federata thekson se ky është edhe një nga kushtet thelbësore për të marrë licensimin. Për të ruajtur fushat e stadiumeve, qeveria e futbollit shqiptar u ndalon klubeve që të zhvillojnë seancat e tyre stërvitore në këto ambiente.

“Federata Shqiptare të Futbollit paralajmëron klubet e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë në lidhje me terrenin e fushës në stadiumet ku ato zhvillojnë garën.
Nisur nga problematika e shfaqur në disa fusha javën e fundit të kampionatit, ku terreni u shfaq në gjendje të rënduar, Federata ka reaguar menjëherë dhe u ka kërkuar klubeve që të marrin masa për të ruajtur dhe mirëmbajtur fushat e stadiumeve ku zhvillohen ndeshjet zyrtare.

Pas konstatimit në terren situata në disa nga fushat e stadiumeve nuk garanton standardet e zhvilluara për zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit. Siç dihet një nga elementët kyç në procesin e licencimit të FSHF për pjesëmarrjen në garat futbollistike është edhe kriteri i infrastrukturës.

FSHF përmes një qarkoreje ka njoftuar të gjitha skuadrat që është e ndaluar të stërviten në fushën e stadiumit, ku edhe zhvillojnë ndeshjen, gjë që ka sjellë më pas rëndim të terrenit. Federata do të vijojë me inspektimet gjatë muajit janar 2021 dhe në rast se konstatohet ndonjë klub që shkel këtë rregull, do të ketë sanksione nga Komisioni i Disiplinës së FSHF, deri në pikën që skuadrat nuk do të lejohen të luajnë më në atë terren”, lajmëron FSHF./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *