Shqipëria do të luajë një test miqësor kundër Arabisë Saudite më 26 tetor. Një ndeshje që do të jetë jashtë datave zyrtare të FIFA-s, por që do të shërbejë për të parë elementet e kampionatit shqiptar. Edi Reja ka thënë për “TV Klan“ se shpreson që lojtarë të “Abissnet Superiore”-s t’i lënë mbresa, pasi po sheh për elementë që do i duhen edhe për të ardhmen.
“Vitet e fundit kam marrë pak lojtarë nga kampionati. Edhe Federata ka 2 vjet që më kërkon të marr lojtarë nga Shqipëria. Uroj që ndonjëri të më japë shenja të mira. Ka disa prej tyre që janë evidentuar. Xhixha po shënon shumë, Skuka është lojtar i mirë, Hadroj po ashtu. Do të jetë një mundësi t’i vlerësoj për të ardhmen. Do të jetë një test shumë i rëndësishëm për ne. Arabia do të marrë pjesë në Botëror. Është një skuadër e shpejtë dhe taktikisht mjaft agresive. Nuk kanë të dhëna të mira teknike, por janë të shpejtë.
Më duhet të ndërtoj një skuadër që nuk ka luajtur kurrë bashkë. Tre-Katër ditë nuk mjaftojnë, por do të flas edhe me lojtarët që do t’i vë në fushë në mënyrë të tillë që ta japin rendiment. Më duhen në të gjitha repartet, pasi kohët e fundit kemi pasur shumë dëmtime. Në Ligën e Kombeve kemi patur shumë të dëmtuar dhe jemi ndëshkuar prej kësaj. Në kualifikueset e Europianit, nëse do ti kem të gjithë në dispozicion, do të kemi mundësinë të bëjmë lojën tonë”, ka deklaruar Edi Reja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/