“Divorci” me Kukësin, Jovanoviç: Nuk më largoi Milinkoviçi

Verilindorët e kalojnë me qetësi barazimin në Vlorë, loja e mirë favori i Milinkoviçit. I larguari Jovanoviç: Milinkoviç si një baba për mua, bashkëpunojmë sërish në të ardhmen

Jurgen Zela

Barazimi i dytë radhazi dhe Skënderbeu përfiton për të marrë terren akoma më shumë, teksa e sheh veten komod 7 pikë nga kampionët në fuqi. Kukësi “i dënuar” nga mungesat e përjavshme ka një malore të madhe për të ngjitur, pasi duhet të rikuperojë sa më parë diferencën me korçarët. Me Flamurtarin pritej me çdo kusht fitorja, por edhe pse verilindorët e panë veten në avantazh pas pjesës së parë, nuk arritën që ta mbanin rezultatin deri në fund, pavarësisht se patën mundësi shënimi për ta “vrarë” ndeshjen. Flamurtari arriti që të barazonte, por loja e mirë e treguar është një shenjë pozitive te Kukësi, pasi përballë kishin ndjekësin më të afërt, që këtë edicion ashtu si Kukësi kanë pësuar vetëm një humbje, pikërisht nga i njëjti kundërshtarë Skënderbeu. Ndeshja luhej në transfertë dhe një pikë mund të konsiderohet e pranueshme, ndaj deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim negativ nga Kukës. Milkinkoviç dhe stafi i tij do të vijojnë punën në vazhdim dhe tashmë e dinë mirë se nuk lejohen hapa fals, pasi diferenca nuk është e vogël dhe vetë ata në prononcimin pas ndeshjes e pranuan se tashmë duhet që sa më parë të ngushtojnë diferencën. Paraditen e djeshme stadi i Kukësit ka konsumuar një kafe me presidentin  Kukësit ku kanë folur në lidhje me ndeshjen e Vlorës. Nuk ka pasur debate apo ngritje zëri, teksa ka qenë një mbledhje e vogël në thonjëza. Drejtuesit e Kukësit, me në krye presidentin Safet Gjici kanë ndryshuar politikë, duke mos krijuar më presion të panevojshëm, pasi rezultatet do të jenë ato që do të vendosin.

JOVANOVIÇ

Barazimi me Vllazninë i trazoi ujërat jo vetëm për faktin se u lanë dy pikë në shtëpi dhe ju larguan kreut, por dhe se erdhi shkarkimi i parë. I besuari i Milinkoviçit Marko Jovanoviç u largua pas një debati me Gjici. Në konferencën para ndeshjes me Flamurtarin trajneri Milinkoviç nuk e anashkaloi dhe këtë pjesë, teksa dha një deklaratë në dukje të fortë. E thënë ndryshe nuk vlen aspak thënia: “Nëse nuk do e largonte presidenti, do e largoja vetë” për vetë Jovanoviçin. I kontaktuar nga “Sport Ekspres” Jovanoviç nuk dëshiron të polemizojë aspak, teksa vendos theksin se me Milinkoviçin ka raporte shumë të ngrohta dhe në të ardhmen do të jenë së bashku: “Nuk mund të them asgjë. Mlladen është si babai im. Unë ia kam kaluar mjaft mirë në të gjitha skuadrat ku kemi punuar. Kemi arritur rezultate të mira kudo së bashku. Kam mësuar shumë për futbollin nga ai. E përsëris, Mlladen është si babai im. Unë besoj se ne do të punojmë sërish bashkë në të ardhmen, nuk më largoi ai nga Kukësi”, përfundoi ai. I pyetur se çarë e ka shtyrë Milinkoviçin të thoshte ashtu, nuk Jovanoviç nuk jep një përgjigje. Duket e çuditshme në fakt, teksa Milinkoviç dhe Jovanoviç kanë qëndrime kaq të kundërta, por ndoshta trajneri aktual i Kukësit ka dashur të mbajë klubin larg polemikave, duke marrë mbi vete përgjegjësinë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *