Ditë analize te Laçi, sytë nga Ademir

Braziliani la fushën e lojës në pjesën e dytë dhe pritet përgjigja nga mjekët për gjendjen e tij. Mendja te sfida me Lushnjen

Vladimir Prenga

Barazimi 1-1 me Flamurtarin, për mënyrën se si shkoi ndeshja, i kënaq kurbinasit, por synimi në fillim të takimit ishte tjetër dhe dëshira për të marrë tre pikët ishte e madhe, çka do u jepte atyre mundësinë ta parakalonin në renditje skuadrën e drejtuar nga Shpëtim Duro. Kjo nuk ndodhi, madje vlonjatët ishin ata që shënuan të parët me Bushiç, me kroatin që në një rast tjetër e ndali shtylla pingule. Penalltia e ekzekutuar saktë nga Rexhinaldo bëri që bardhezinjtë të merrnin një pikë, ndërkohë që sulmuesi gjeti golin e parë sezonal në sfidën e tij të dytë me Laçin.

Analiza – Ndodh gjithmonë që në seancën e parë stërvitore pas pushimit, drejtuesit së bashku me stafin teknik dhe futbollistët të zhvillojnë analizën e ndeshjes paraardhëse. Pikërisht sfida me Flamurtarin pritet të diskutohet sot dhe të nxirren mësimet e duhura për vazhdimësinë. Sigurisht do të ketë edhe kritika për ato që nuk shkuan në ndeshjen e së hënës me vlonjatët dhe gjatë seancave stërvitore të kësaj jave do punohet për korrigjimin e tyre. Ndeshja e radhës është afër, pasi të shtunën Laçi luan në transfertë me Lushnjen dhe në këtë takim do kërkohet të merret maksimumi. Për përballjen me verdhejeshilët do të flitet edhe në analizë, ndërkohë që më pas ekipi do të nisë nga përgatitjet për këtë ndeshje të rëndësishme në transfertë.

SITUATA – Në ndeshjen me Flamurtarin mungoi vetëm një lojtar, mesfushori Kejvi bardhi, i cili ishte në Krujë dhe e ndoqi skuadrën e tij nga tribuna. Gjatë këtyre ditëve do të shihet gjendja e tij, ndërkohë që ai që shqetëson është braziliani Ademir, i cili në ndeshjen me vlonjatët u zëvendësua në pjesën e dytë për shkak të një problemi në kofshë. Dje ai ka bërë një kontroll mjekësor dhe pret përgjigjen mbi shkallën e dëmtimit dhe nëse mund të luajë të shtunën apo jo. 32-vjeçari është aktivizuar në pesë ndeshje si titullar me Laçin në kampionat këtë sezon, teksa ka munguar vetëm ndaj Luftëtarit për shkak se u ndëshkua me karton të kuq në sfidën hapëse me Partizanin. Në rast mungese, me shumë mundësi do të jetë shkodrani Abdurrahman Fangaj ai që do të zhvendoset në të djathtë, për t’u aktivizuar në qendër Harallamb Qaqi. Sa i takon mesfushorit Regi Lushkja, mesfushori që mori një goditje me top në kokë ndaj Flamurtarit, është në gjendje të mirë dhe pritet të përgatitet normalisht me ekipin. Pas ndeshjes së të hënës ai ka kryer disa kontrolle mjekësore dhe fatmirësisht nuk ka pasur asnjë problem.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *