Mesfushori ka dëmtuar kaviljen dhe veç Luftëtarit në kampionat, me shumë mundësi nuk luan as në Europa League. Por kthehen Radas, Gavazaj, Sahiti dhe Nespor
Leonard Trebicka
Skënderbeu arriti një fitore bindëse në Durrës. Përmbysi disavantazhin e pjesës së parë të Teutës dhe shënoi 4 herë në portën e saj, duke marrë fitoren e 6-të në kampionat. Kryeson me 3 pikë para Kukësit të vendit të dytë, ndërkohë që në fundjavë pret Luftëtarin në Korçë. Trajneri Daja dhe stafi i tij javë pas jave po përballen me dëmtime të shumta, që vijnë nga ngarkesa me ndeshje e Skënderbeut, në kampionat dhe Europa League. Në ndeshjen e fundit ndaj Teutës mungonin 5 lojtarë. Edhe pse skuadra juglindore ka një grup të plotë për të përballuar të 3 kompeticionet, lodhja është prezente te të gjithë lojtarët dhe dëmtimet krijojnë probleme. Radas, Sahiti, Nespor, Nimaga dhe Gavazaj nuk ishin të gatshëm për Skënderbeun në Durrës, megjithatë skuadra ia doli të merrte 3 pikët. Një ditë pas asaj transfertë vijnë lajme të mira dhe të këqija në kampin korçar. Mungesa mbi një javë e Bruno Ditës shqetëson jo pak, por gradualisht duket se po rikthehen disa lojtarë, të cilët konsiderohen titullarë. Të shtunën, ndaj Luftëtarit, trajneri Ilir Daja do ta ketë disi më të plotë grupin. “Sport Ekspres” ka mësuar gjendjen e momentit për të gjithë futbollistët, të cilët kanë pasur probleme dëmtimi.
RADAS – Një nga titullarët e padiskutueshëm të Skënderbeut, Marko Radas, mungoi në ndeshjen e së hënës në Durrës. Kroati u dëmtua ndaj Partizanit të Beogradit, kur u detyrua ta linte fushën pas 30 minutash. Pas rezonancës që kreu në kryeqytet, u duk se dëmtimi në gju, ku ai kishte marrë një goditje, ishte serioz, por nuk ka rezultuar i tillë. Radas mungoi ndaj Teutës, por lajmi i mirë është se mbrojtësi sot do të rikthehet në fushë. Edhe dje Radas ka kryer terapi me stafin mjekësor, ndërsa mjeku Jorgo Pantazi ka sqaruar se nga sot Radas do të bashkohet me skuadrën dhe deri në fundjavë do të jetë 100% gati. E vetmja dilemë është nëse trajneri Daja do ta hedhë në fushë nga minuta e parë atë apo jo. Gjithsesi, rëndësi ka që Radas është gati.
GAVAZAJ – Një tjetër futbollist, i cili po i mungon prej javësh Skënderbeut, është kosovari Enis Gavazaj. Që më 28 shtator Enisi nuk ka luajtur asnjë ndeshje. Jang Bojs ishte takimi i fundit për mesfushorin, i cili u dëmtua në fytyrë dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale iu deshën disa javë të rikthehej. Pas një muaji ka ardhur momenti që Enis Gavazaj të jetë i gatshëm për trajnerin Daja. Në stërvitjen e sotme, sipas stafit mjekësor, Gavazaj do të jetë gati dhe kjo do të thotë se në ndeshjen me Luftëtarin stafi mjekësor e llogarit në dispozicion. Nëse luan, Gavazaj do të vendosë maskë në fytyrë. Edhe ky është një tjetër rikthim i madh te Skënderbeu.
NESPOR – Çeku Martin Nespor duket se ka “humbur”, pasi ka disa ndeshje që nuk shihet as në stolin e rezervave. Sulmuesi erdhi në Korçë si blerja më e bujshme e Skënderbeut, por edhe në 7 javët e para të kampionatit ka luajtur vetëm 4 minuta. Kohët e fundit Nespor pati disa probleme me shpinën dhe u detyrua të largohej për në Gjermani, ku kreu një terapi speciale. Ka disa ditë që është rikthyer dhe nga sot edhe ai do të bashkohet me grupin. Megjithatë, ende nuk mund të thuhet se kur trajneri Daja do t’i besojë një vend titullari. Ndaj Luftëtarit do të jetë në dispozicion të stafit teknik.
NIMAGA – Tjetër lojtar që mungoi edhe në Durrës është Bakari Nimaga. Mesfushorit nga Mali i është dashur kohë për rikuperimin e një dëmtimi në kavilje dhe tashmë është gati për t’u bashkuar edhe ai me grupin. Nimaga, ashtu si dhe Gavazaj, u dëmtua në momentin e tij më të mirë. Lojtari nga Mali ishte në formë të shkëlqyer gjatë ndeshjeve europiane dhe ka disa javë që i mungon Skënderbeut. Sot edhe ai do të stërvitet me grupin, por normalisht duhet pak kohë që të kapë formën optimale.
SAHITI – Kosovari erdhi në merkaton e verës te Skënderbeu dhe ka luajtur vetëm 119 minuta me fanellën bardhëkuqe në kampionat. Sahiti ka luajtur edhe në Europa League, por pësoi një dëtimm që e ka mbajtur jashtë fushave. U rikuperua disa ditë para ndeshjes me Teutën, por sërish ndjeu shqetësime dhe mbeti jashtë skuadrës edhe për transfertën e Durrësit. Edhe mesfushori i krahut mund të llogaritet në forcë, pasi tashmë është nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja.
DITA – Mes lajmeve të mira për rikthimin e disa lojtarëve titullarë, ka edhe një lajm të keq. Bruno Dita do t’i mungojë Skënderbeut në ndeshjen e radhës në kampionat, por edhe në transfertën e Beogradit në Europa League. Mesfushori e nisi si titullar ndeshjen e fundit në Durrës, por trajneri Daja e zëvendësoi që në pjesën e parë me Osmanin, sepse ai pësoi një dëmtim. Dita ka marrë një goditje në kavilje dhe do të qëndrojë minimumi një javë larg fushave. Kjo do të thotë që Dita ka humbur jo vetëm Luftëtarin këtë fundjavë, por rrezikon edhe Partizanin e Beogradit më 2 nëntor. Do të stërvitet individualisht një javë dhe më pas i duhen disa ditë të tjera për të arritur formën e duhur para se të jetë 100% gati.