Sot tifozët shqiptarë do të jenë të lidhur pas ekranit, pasi do të luhen ndeshjet e Kombëtares A dhe asaj U-21. Në orën 20:15 skuadra e drejtuar nga Eduardo Reja do të ketë një test mjaft të vështirë, pasi në miqësoren e sotme do të ketë përballë Republikën Çeke. Çekët do të luajnë në Euro 2020 dhe kanë një skuadër mjaft solide.
Megjithatë lojtarët e Kombëtares sonë duhet të shfrytëzojnë faktin që Çekia do të mundohet të ruajë lojtarët nga dëmtimi duke mos dhënë maksimumin. Kështu që kjo ndeshje duhet të fitohet në mënyrë që të krijojmë një mentalitet të fortë, që do të na nevojitet për ndeshjet e ardhshme të kualifikueseve të Botërorit 2022.
Nga ana tjetër, Shqipëria U-21 do të përballet me Bullgarinë U-21. Përfaqësuesja jonë vjen nga një fitore 0-3 me Armeninë dhe morali është i lartë. Bullgarët shihen si favoritë në letër, megjithatë skuadra jonë U-21 është përmirësuar shumë në ndeshjet e fundit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/