31 korriku erdhi dhe sot presupozohet që klubet e Superiores të dorëzojnë dosjet me dokumentacionin e nevojshëm për t’u licencuar dhe për të garuar sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit shqiptar.
Janë disa klubet me probleme financiare, madje me borxhe që kapin shifrën e 1 miliard lekëve. Vllaznia dhe Tirana prej kohësh e kanë nënshkruar një marrëveshje me Tatimet, por mbetet për t’u parë nëse e kanë respektuar.
Ashtu sikurse edhe Luftëtari e Flamurtari, të katër këto klube presin amnisti nga qeveria. Veç faljes së borxheve në tatime, priten edhe të tjera lehtësime fiskale që do të ishin “oksigjen” për klubet e futbollit në Shqipëri.
Ka një marrëveshje në heshtje mes tyre dhe presin që qeveria të miratojë ndryshimet në ligj, që FSHF ia ka propozuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Gjithsesi borxhet e klubeve nuk janë vetëm në Tatime.
Skënderbeu është gjobitur 1 milion euro nga UEFA, kurse Flamurtari nga ana tjetër ka disa gjyqe të humbura në FIFA dhe duhet të shlyejë borxhet ndaj ish-lojtarëve. Situata para fillimit të kampionatit, sikurse kuptohet, nuk është aspak e mirë.