Një ndër personat që e njeh më mirë kombëtaren italiane është natyrisht Dino Xof, ish-portieri legjendar, kampion bote në vitin 1982, ndërsa më pas trajner i Italisë në periudhën 1998-2000. Xof e ka të qartë që është një moment delikat për trajnerin aktual Ventura, ashtu si për lojtarët: “A kam përjetuar momente si ato që po kalon Ventura? Po, i kam përjetuar, por jo mbi shpinën time. I vuanin Bearxoti dhe të tjerët… Kam shumë besim se Italia do të shkojë në Botëror, pak rëndësi ka çfarë do bëjë në Shkodër”.
Ndërkaq, tek Italia ka nervozizëm dhe debate: “Mbledhja me dyer të mbyllura, pa trajnerin? Mbaj mend që në vitin 1974 e bëmë një të tillë në tren në Shtutgart dhe ishte një dështim total… Dolën në dritë 2-3 gjëra që e mbyllën menjëherë diskutimin. Duhet të besojmë te rolet dhe t’i japim besim trajnerit. Ka rregulla në jetën e futbollit, është trajneri ai që vendos për disa gjëra, nuk mund të bien dakord lojtarët me njëri-tjetrin dhe në krah tjetër të qëndrojë trajneri”.
Xof është i bindur te kualifikimi në Botëror: “Do të kalojmë dhe do të bëjmë figurë të mirë edhe në Rusi, edhe pse është e qartë që do të kemi disa probleme për të fituar apo kapur finalen. Gjithsesi, në Europë dhe në Amerikën e Jugut janë disa kombëtare të nivelit të lartë dhe mendoj se Italia mund të përballet pa frikë me to”.