Olsi Rama ishte i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” që transmetohet në “RTSH”. Nuk kishte sesi të mungonte një koment rreth Dinamos dhe gjendjes së ekipit. Pas humbjes së sotme ndaj Kastriotit, klubi është lënë pa autobuz dhe duke pritur. Ndërkohë drejtori i Partizanit ka thënë se nuk është ky reagimi i duhur në vitin 2022. Sa i përket lojtarëve që kanë shkëlqyer tek të kuqtë, mes pak emrave që fitoi dashurinë e tifozëve është Albion Marku. A do të qëndrojë ky futbollist? Olsi Rama është shprehur se Partizani do të përpiqet me të gjitha forcat për ta mbajtur.
“Lajmi më i mirë, hapja e kompleksit të ri apo vendi i katërt në kampionat? Lajme të vonuara, sepse kompleksi duhet të ishte inaguruar me kohë dhe vendi i katërt nuk është ai që dëshironim, donim më shumë se kaq. Dinamo? Më vjen keq, sepse me të vërtetë e mirëprita, sepse mendoja se do rikthente traditën e Dinamos. E kam ndjekur me dëshamirësi gjatë sezonit, po mendoj se nuk kanë arritur të rikthejnë as entuziazmin dhe as lojën. Jam i mendimit që janë në vendin që meritojnë. Duke parë ecurinë e Egnatias dhe Kastriotit, mendoj se Dinamo nuk mund të mbijetojë.
Situata e krijuar te Dinamo, lojtarët dhe stafi mbeten në këmbë pasi u ikën autobusi? Nuk besoj se në 2022 këto janë mënyra se si mund të reagohet. Gjëra të tilla tregojnë se nuk çalon vetëm në fushë, kjo nuk është aspak normale. Dinamo ka grumbulluar lojtarë, që kanë cilësi por kanë dhe një çmim. Por nuk mjaftojnë vetëm emrat. Marku dhe Kallaku gjithashtu janë në huazim nga Lokomotiva e Zagrebit, do të tentojmë ti mbajmë. Marku është me të vërtetë një lojtar që na ka ndihmuar shumë, mendojmë dhe shpresojmë që ti mbajmë”, tha Rama. /Sport Ekspres/