Dinamo pa fushë dhe pa busull, vetëm 10 lojtarë në stërvitje

Dinamo është një nga tre skuadrat më me emër të kryeqytetit, por prej vitesh ndodhet në pozita aspak komode, pasi prej disa vitesh ndodhet në kategorinë e parë dhe ka rrezikuar jo pak që të bjerë dhe më poshtë. Përmes një postimi në “Facebbok” tifozët e Dinamos janë mjaft të indinjuar për situatën që ndodhet skuadra në prag të edicionit të ri. Në postim thuhet se nën drejtimin e Igli Allmuçës janë vetëm 10 futbollistë dhe ekipi është i detyruar që të stërvitet në kalçeto. Një situatë aspak e mirë, pasi edicioni i ri pritet që të jetë akoma dhe më i vështirë.

“Më shumë se e turpshme… Në stërvitjen e Dinamos nën drejtimin e trajnerit Igli Allmuça kanë zbritur vetëm 10 lojtarë të cilët janë: Ilir Allmuça, Tragaj, Çema, Nuriu dhe pak lojtarë të ardhur nga akademia e të rinjve. Gjendje më e mjerueshme si fillim, pasi nuk kemi vend për stërvitje përveç kompleksit ‘Aquadrom’ dhe tani me përgatitjet për sezonin e ri që akoma duhet të shpresojmë për mos të rënien nga Kategoria me këtë kontingjent që zotërojmë”.

“Më vonë Dinamo mund të lidhë një kontratë me kompleksin Internacional në Peze-Helmes për kryerjen e seancave stërvitore, aty ku ekipi dinamovit luan dhe ndeshjet si ekip pritës në kampionat. Ne tifozët po vuajmë çdo vit e më shumë për këtë ekip. Gjithsesi Forca Dinamo”, përfundon postimi në “Facebook”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *