“Dinamo nuk tregoi karakter, ne dorëzohemi shpejt”! Shkëmbi shpjegon humbjen me 5 gola: Ishte fotokopje si ndaj Tiranës…

0

Laçi ka arritur që të shkatërrojë Dinamon me shifrat 5-0. Kjo ndeshje pritej që të ishte e ekuilibruar dhe të vendosej nga episodet, por në fakt, rezultoi e kundërta. Vendasit kaluan të parët në avantazh me Guindo në minutën e 6.

Sulmuesi përfitoi pas gabimit të Imamit në kthimin e topit mbrapa, duke dërguar sferën në rrjetë. I vetmi shans për Dinamon ishte në të 13, atje ku Ibrahimi goditi traversën nga distanca. E gjitha pjesa tjetër i përket Laçit që dyfishoi me parabolën e Zarubicës.

Shifrat u trefishuan me kokë nga Shehu, ndërsa më pas ishte Guindo që gjeti të dytin personal në këtë takim dhe Lushkja që realizoi golin e pestë. Pas kësaj humbje, Dinamo zhytet më tepër në krizën e saj të Superiores. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:

Shkëmbi: “Dinamo nuk tregoi karakter. Mund të barazonim pas golit të Guindo. Kur po bënim pak trysni te rivalët, pësuam golin e dytë. Pastaj ekipi nuk tregoi karakter, fotokopje e ndeshjes së Tiranës dhe mesa duket, dorëzohemi shpejt. Golin e parë e falëm vetë dhe nëse nuk ka karakter, të luftosh nga sulmuesi deri te lojtari i fundit, është e vështirë. Duhet ta kesh me patjetër këtë cilësi se ndryshe turpërohesh si ne sot.

Josa: “Rezultati 5-0 është paksa i ekzagjeruar duke pasur parasysh se po luanim ndaj Dinamos, për mënyrën si është organizuar kjo skuadër. Do të jem hipokrit nëse do të them se lojtarët ishin perfekt. Duhej të punonim më mirë sa i përket krahëve të sulmit, jemi tërhequr pak mbrapa dhe duhet të rregullojmë më tepër këto gabime. Zarubica e ka treguar më parë se çfarë është i aftë të bëj, megjithëse duhet të kapi gjendjen fizike më të mirë sepse unë e gjeta me dëmtim në kavilje. Mazrekaj është lojtar që e njoh vetë dhe kam punuar në Prishtinë me të. Duhet të jemi me këmbë në tokë”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.