Nga Anton Cicani
Dikush nga Hollivudi duhej të ishte i pranishëm në Elbasan mbrëmjen e sotme… Sepse skenari që do të shkruante mund të krijonte një film i cili do t’i rezistonte kohës.
Një portier që deklaron se do të mbyllë karrierën pas Europës, por që e shtyn këtë tërheqje po vetë…
Një sulmues që mendohej se kishte perënduar, po që lind më fort se sa dielli i një dite të zakonshme gushti…
Një trajner që u dëbua nga Tirana dhe që gjeti një ambient ideal për të punuar.
Një futbollist që kthehet pas një dëmtimi që e pengonte dhe realizon me penallti, por sidomos një tifozeri që ktheu Elbasanin në Korçë dhe në fund, një skuadër me zemër të madhe, e cila nuk mund të dorëzohej, jo pikërisht tani.
Ndoshta një ditë do të na mësojnë se si bëhet të përmbyset një sfidë edhe kur këmbët nuk të bëjnë, edhe kur emocionet janë të mëdha, por sidomos edhe kur ke një portier që ka deklaruar se do të varë këpucët në gozhdë dhe do të heqë dorashkat kur të mbyllen kupat e Europës…
Por, deri sa të vijë ajo ditë, mund të vazhdojmë të shijojmë mrekullinë e quajtur “Skënderbeu”…
Nuk mund të dilnin jashtë, jo nga Mlada Boleslavi, me gjithë respektin. Gjashtë herë radhazi kampionët e Shqipërisë, ashtu si Kukësi përpara katër vjetësh, arrijnë në fazën finale drejt grupeve të Europa League, pra play-off… Edhe një kat, drejt grupeve, aty ku dy vjet më parë arritën të shkonin, duke na bërë krenar të gjithëve.
Sonte nuk është dita për të kritikuar, jo për të folur sepse kështu duam ta bëjmë. Sot duhet të festojmë, sepse flamuri shqiptar do të vazhdojë të jetë në shortin e nesërm në Nion… Aty ku sytë do të jenë nga goglat. Por, tanimë s’ka rëndësi. Skënderbeu e meritoi, ishte edhe me fat, kur kundërshtari goditi shtyllën, por ndoshta sepse atje lart, dikush i do më shumë se sa shqiptarët.
Sonte është nata e tyre, sonte është nata jonë. Sonte është nata e atij, Orges Shehit, që shkoi te pika e bardhë e penalltisë dhe i dha forcë dhe besim skuadrës së tij, duke pritur edhe penalltinë finale. Bravo Gesi, bravo Skënderbe… Më shumë se kaq, s’besoj se mund të themi. Fundja, edhe ne jemi të emocionuar…