Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria ishte mësuar prej kohësh me “talente” që lindnin dhe zhdukeshin si të mos kishin ekzistuar kurrë. Ndoshta edhe për shkakun e ekzagjerimit nga mediat, përfshirë edhe veten tonë, por sigurisht që pesha kryesore e përgjegjësisë i takon lojtarëve që nuk mbanin nivelin e lartë.
Jemi duke folur për lojtarët e shumtë shqiptarë që kishin mundësinë të ishin pjesë e të rinjëve të Interit, Juventusit, Romës, Milanit dhe më pas shkonin në ligat inferiore, për të mos u kthyer më kurrë. Për të vazhduar me lojtarët e tjerë që na refuzonin për të shkuar te fqinjët tanë, Greqia, që në fakt nuk shquhemi për ndonjë dashuri të madhe me njëri-tjetrin.
Të irrituar gati në dëshpërim, tifozët shqiptarë pyesnin: “Kur do të na vijë një yll botëror?”. Ja ku vjen, Armando Broja! Nisur nga historitë e së shkuarës, sërish ka pasur shumë skepticizëm edhe për këtë sulmues. Të djegur nga e shkuara, shqiptarët prisnin që fati i këtij sulmuesi të ishte i njëjtë me lojtarët e tjerë të rinjë shqiptarë që humbnin brenda pak kohësh.
Ndërkohë trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, do të dilte me një deklaratë të bujshme: “Nëse Armando Broja e mban këtë nivel dhe vazhdon të punojë, do të vijë një ditë dhe do të themi kur të shkojmë në aeroport se jemi nga vendi i Armando Brojës”.
Shumë qeshën, teksa shpreheshin se Bushi e ekzagjeroi me fantazinë e tij. Golat e shënuara nga ky sulmues tek të rinjtë e Chelsea-t nuk ishin provë bindëse. Madje edhe sezoni i mbyllur në Eredivisie nuk ishte më tepër bindës, pasi futbollit holandez luhet hapur dhe të lejon mundësinë për të shënuar.
Por kjo kohë te Southampton në Premier League ishte “vendosja e kapakut”. Në çdo gol të shënuar tanimë nga Broja, jo të paktë janë tifozët që kujtojnë aeroportin dhe vendin se nga vijmë. Madje “profeti Bushi” vazhdoi edhe me një deklaratë tjetër disa javë më parë në “Sport Ekspres”: “Nëse Broja do të ishte norvegjez, vlera e tij do të ishte 200 milionë euro në treg, por kjo nuk do të thotë se nuk ka për të arritur deri atje”.
Duke iu referuar Halandit, pavarësisht faktit se po shënonte në Premier League, kampionatin më të fortë në botë, sërish kritikat ishin të gjitha për Alban Bushin se edhe njëherë tjetër po e tepronte. Por ja ku jemi, në ditën e djeshme “Transfermarkt” është shprehur se Chelsea nuk do ta lejojë që Broja të largohet për më pak se 70 milionë euro. Pra jemi duke folur për këtë lloj shifre ku Armando përtej moshës 20-vjeçare, ka zhvilluar vetëm një gjysmë sezoni në Premier League. /Sport Ekspres/