“Futbolli shqiptar është më i korruptuari në botë”! Kjo është deklarata e Diego Longos në Itali që nxiti reagime të shumta në mediat sportive. Një deklaratë e fortë, por edhe e pritshme duke parë natyrën agresive dhe shumë në luhatje emocionale të trajnerit 49-vjeçar, që meriton studim.
Longo u shpreh se në vitin e parë te Kukësi pa gjëra shumë të çuditshme që tregonin se futbolli shqiptar është më i korruptuari në botë dhe se vlera e gjithsecilit nuk mund të tregohej, pasi gjithçka ishte e stisur. Më pas Longo shprehet se në aventurën e tij tek Flamurtari, një gabim i portierit vendosi për dështimin e tij, ndërsa te Teuta mungonin terrenet sportive.
Atëherë, pyetja e parë që shtrohet: “Nëse te Kukësi, Longo pa se futbolli shqiptar ishte më i korruptuari në botë, përse ky trajner erdhi sërish në Shqipëri për të provuar edhe dy eksperienca të ndryshme me Teutën dhe Flamurtarin?. Nëse ky kampionat më i korruptuari në botë, a u pastrua më pas që te Flamurtari ndikoi gabimi i portierit dhe te Teuta ndikuan terrenet sportive? Përse në të gjitha rastet nga një arsye ndryshe për të justifikuar dështimin, por asnjë marrje përgjegjësie?”.
Të gjithë këto pyetje marrin përgjigje pasi të kuptojmë se për kë po flasim, Diego Longo. Ai e nisi karrierën e tij në futboll si një trajner fitnesi, ku merrej vetëm për përgatitje fizike të lojtarëve dhe nuk kishte asnjë detyrë tjetër që lidhej me anën teknike dhe taktike të ndeshjes. Më pas u kthye në zëvendës trajner dhe për herë të parë u bë trajneri i parë në Shqipëri, te Kukësi.
Vitet kaluan, por Longo e shikonte veten ende si një trajner të fitnesit. Ndoshta për këtë arsye “arusha” Bejzade vendosi duart në kokë kur e mundi Longon që drejtonte Teutën në shifrat 6-1. Arsyeja? Ishte vërtet qesharake, teksa në atë kohë, menjëherë pas ndeshjes, Bejzade tha: “U habita shumë sot, një gjë e madhe më bëri çudi. Teuta po na tregonte në nxehmje mënyrën sesi do të dilte në sulm, 2-3 mënyra që po aplikonin.
Na e treguan që në nxehmje, u habita shumë dhe i thashë ekipit sesi të luante sepse nuk e njihja me shumë detaje Teutën. Kështu fituam 6-1, por u mërzita sepse duhej të fitonim 6-0″. Pra strategu i madh, Diego Longo, që nuk merr asnjëherë përgjegjësi mbi veten por janë gjithmonë faktorë të tjerët për humbjet e tij, është shkatërruar 6-1 në një ndeshje të Superiores pasi i ka treguar të gjitha skemat e lojës në momentin e nxehmjes, duke ia shpalosur të gjitha kundërshtarit për mënyrën sesi do të sulmonte dhe mbrohej.
Nëse mendoni se është koha për të qeshur, jeni gabim pasi historia nuk është mbyllur këtu, ka edhe më shumë, duhet mbajtur “barku me dorë”, por duroni edhe pak. Vetë Diego Longo hapi një histori spiunimi të Dinamos dhe e bëri të madhe në media. Sipas tij, disa zyrtarë te Dinamos po i ndiqnin stërvitjen dhe po e spiunonin, duke e bërë edhe njëherë tjetër agresiv trajnerin 49-vjeçar. Ai u ankua te Gjici për të zgjidhur situatën dhe për të ndyrshuar terrenin e stërvitjes, në mënyrë që të mos i spiunohej stërvitja.
Ndërkohë disa vite më mbrapa, Longo ia jep në pjatë trajnerit kundërshtar, në këtë rast Bejzades, të gjithë taktikat dhe idetë e tij, para fillimit të ndeshjes. Pra Longo nuk donte që ta spiunonin, pasi donte t’ia jepte vetë kundërshtarit informacionet për ekipin e tij. A e dinë në Itali një gjë të tillë? Në Seria A dhe Bundesligë gjithmonë frikësohen dhe ndërtojnë sisteme të forta dënimesh sa herë që një informacion zbulohet te kundërshtari para kohe, duke ndëshkuar fort personin e padisiplinuar të ekipit. Po kur rasti në fjalë është vetë trajneri, a e ka thënë Longo edhe këtë në Itali?
Po flasim për njeriun që ka hedhur në tokë me fjalët e tij gjithë dorën e shtrirë nga Kukësi, e ka kafshuar, me të gjitha dhëmbët e tij të mprehta, Longo donte vetëm të kafshonte, gjithmonë. Në vitin 2021 pas një fitore me Kukësin, shprehej: “Me kë ngjan Kukësi nga Serie A? Shpresoja ta harronit këtë pyetje. Nëse më duhet të bëj këtë krahasim ekipi më duket si Napoli në kohën kur ishte Sarri”. Ndërkohë pas një humbje të Kukësit disa kohë më pas, Longo thoshte: “Shumë njerëz harrojnë se Kukësi ka qenë në vendin e gjashtë në sezonin e shkuar. Është njësoj sikur t’i kërkosh Bolognas të marrë vendin e parë në Serinë A”.
Pra në një moment kur fitonte, Kukësi i tij ishte si Napoli i Sarrit dhe në një moment kur humbte, ishte si Bologna e vendeve të fundit. Kjo tregon gjithë luhatjen e fort dhe të rëndë emocionale të një njeriu që mund të jetë gjithçka, veçse jo trajner.
Sot e quan futbollin shqiptar si më të korruptuarin në botë, ndërsa para disa kohësh kur në Greqi kërkonin të dërgonin finalen e Supërkupës së tyre në një shtet tjetër, Longo i propozoi Shqipërinë. “Air Albania ka kushte ideale, luan edhe Kombëtarja aty. Elbasan Arena ka infastrukturë të mirë, ndeshja mund të bëhet edhe në Elbasan dhe tifozët të rrijnë në Tiranë pasi distanca është vetëm 30 minuta”.
Fjala merr peshë gjithmonë te njeriu që e thotë atë. Në këtë rast pesha bie duke parë natyrën e Longos, që i përmbledh të gjitha kur reagonte si i çmendur kundër arbitrave pasi humbi 5-0 kundër Partizanit. 1, 2 dhe 3 mund t’i pranojmë, por 5 për faj të arbitrit? 5-0 me Partizanin, 6-1 me Laçin, Mario Baloteli do të thoshte: “ëhy alëays me?”.
Dhe të mendosh që në futbollin shqiptar afrohen si trajner të mëdhenj njerëz të tillë, të cilët nuk ngurrojnë që pas dështimit të hedhin poshtë gjithë mundin dhe djersën e njerëzve të cilët mirë apo keq, pak apo shumë, kanë dhënë kontributin e tyre për futbollin në Shqipëri. Dhe po, ky është problemi më i madh i futbollit shqiptar, fakti që ka pranuar në këtë rast Diego Longon dhe shumë Diego Longo të tjerë që të kenë poste të larta duke i hequr shansin disa shqiptarëe të cilët do ta bënin punën shumë herë më mirë dhe do tregoheshin shumë herë më shumë…fisnik.
Një profesor që sillet si një nxënës arrogant, nuk do të jetë asgjë më shumë sesa një nxënës i përjetshëm i keq. Klasi nuk blihet në pazar, ai merret dhe fitohet me kohën. Diego Longo, ulu, 4! /Sport Ekspres/