Ditën e djeshme erdhi zyrtarizimi dhe Klaus Gjasula ka nisur kështu aventurën e tij të re me fanellën e Hamburgut. Vetëm një ditë pasi njoftoi ndarjen me Paderbornin mesfushori kuqezi hodhi firmën në ekipin e ri, me të cilët do të synojë të ngjitet në Bundesligë për të provuar edhe një herë në karrierë shijen e elitës së futbollit gjerman.
Lojtari 30-vjeçar njihet për shpirtin e tij luftarak në fushën e lojës dhe betejat nuk i shmang asnjëherë, përkundrazi përballet me to. Gjasula ka thënë edhe fjalët e para si futbollist i Hamburgut, teksa nëpërmjet llogarisë së tij në “Instagram“ shprehet gati për betejat që e presin.
“Përshëndetije Hamburg! Ishte një ndjenjë e mrekullueshme të qendroja për të parën herë në barin e gjelbër të stadium si një lojtar i Hamburgut. Por diçka mungonte… ju dhe skuadra! Me zor pres të shkoj në betejë me ju çdo javë“, shkruan “gladiatori” Klaus Gjasula./Halit Delibashi-Sport Ekspres/