Kukësi është një nga skuadrat pretendente për të dalë kampion këtë edicion, por do të ishte një rast unik nëse verilindorët do të ngrinin trofeun në maj, për faktin se gjatë gjithë sezonit janë të detyruar që të luajnë larg shtëpisë. “Zeqir Ymeri” nuk i përmbush kriteret për të pritur një ndeshje të Kategorisë Superiore, ndaj skuadra ka shtegtuar në disa stadiume në këto 20 javë.
Edhe pse ekipi e vuan këtë pjesë dhe trajneri nuk nguron që ta tregojë dhe në prononcimet për media, janë tifozët ata që po e përjetojnë më keq, pasi duhet që skuadrën e zemrës ta ndjekin në pjesën më të madhe të ndeshjeve nga TV, ose u duhet që të shpenzojnë jo pak për të shijuar një 90-minutësh nga stadiumi.
Gjithsesi, mundësia është krijuar që skuadra të zhvillojë në shtëpinë e saj të vërtetë, pikërisht në ndeshjen e kësaj mesjave me Apoloninë. Fakti që bëhet fjalë për turin e tretë, kemi parë që një pjesë e skuadrave nuk i luajnë ndeshjet në stadiumet e tyre, por në fushat stërvitore, ndaj edhe kuksianët kanë menduar që të rikthehen në “Zeqir Ymeri”.
Kukësi është mundur 2-1 me Apoloninë në takimin e parë të zhvilluar në Fier dhe kërkon përmbysjen, këtë herë në shtëpi, së bashku me tifozët të cilët janë mjaft kuriozë për afrimet e reja. Gjithsesi, mbetet për t’u zyrtarizuar nga klubi.