“Dhurata” e politikës, një pallat për fushën e Laprakës

Ish-presidenti i Shqipërisë quan sharlatan trajnerin e kombëtares, Erjon Brace analizon dhe jep mend se kush duhet të ftohet nga Kristian Panuçi. Bashkim Fino, deputet i PS, kërkoi të merrte drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Edhe ai ish-sportist.

Kryeministri Edi Rama është një ish-basketbollist, presidenti Ilir Meta ka qenë shtangist. Në parlament me siguri ka edhe të tjerë që janë marrë me sport, ose që i vizitojnë stadiumet tona. Ka edhe nga ata që organizojnë maratona e premtojnë fonde edhe për klubet e tjera të kryeqytetit. Që mos t’i ngelë hatri, kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj është ai i premtimeve.

Shumë dashuri për sportin nga klasa politike! Kështu do mendonte ndonjë militant, ndonjë nga ata që symbyllas beson gjithçka thonë ata të krahut të tyre. Tifozllëk në çdo fushë të jetës, ndërkohë që çdo ditë e më shumë banorët e kryeqytetit nuk kanë mundësinë më që fëmijët e tyre të luajnë para pallatit, të baltosen, të gjakosin gjunjët.

Për të luajtur futboll, jo e jo. Edhe një fushë të vetme, atë të Laprakës, e prishën. Makineritë e rënda kanë arritur, një pallat do të zërë vendin e fushës, ku shumë kanë hedhur hapat e parë në futboll.

Nuk mjaftoi një protestë e banorëve para disa kohësh, nuk mjaftuan as shkrimet e bëra në media. Me rëndësi të kënaqen ndërtuesit, “sportistët” e vetëm që qeveritarët tanë mbështesin. Edhe stadiumi i ri kombëtar të fituar nxori pikërisht ata…

Fëmijë na falni, por mos u nxitoni! Ndoshta në katin e fundit të pallatit do të bëhet ndonjë fushë. Do ju duhet të paguani, shteti ka nevojë për para dhe prindërit tuaj do duhet të gërmojnë në xhepat e tyre për t’iu ofruar diçka që e meriton çdo vogëlush apo adoleshent.

P.S Politikanë të nderuar, blini një herë të vetme biletë për të parë një ndeshje futbolli. Do të ishte i vetmi kontribut që do u regjistrohej në jetën tuaj, me përjashtim të biletave falas që shpërndani në kohë zgjedhjesh…

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *