Dhurata e madhe e Rejës/ Armando Broja “sakrifikohet” për Shqipërinë U-21, vjen edhe mesfushori i Apolonisë

Kombëtarja shqiptare U-21 ka zhvilluar sot seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e radhës ndaj Andorrës dhe Bullgarisë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi kanë zhvilluar një seancë të plotë në kompleksin Tropikal në Durrës, ndërsa me ekipin kanë qenë të pranishëm të gjithë lojtarët.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se lista e U-21 ka ndryshuar sërish dhe skuadrës i është bashkuar mesfushori i Apolonisë, Mateo Shanaj. 19-vjeçari është vënë nën urdhrat e trajnerit që të premten për të vijuar përgatitjet për dy sfidat e ardhshme të kuqezinjve.

Sakaq, është vendosur që sulmuesi Armando Broja do të kalojë te Kombëtarja U-21 për ndeshjen e parë me Andorrën, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2023. Sulmuesi do të luajë ndeshjen e parë me 21-vjeçarët për t’u vënë në gatishmëri të Kombëtares A për miqësoren e dytë ndaj Republikës Çeke, që luhet në Pragë më 8 qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *