Përgatitjet për çerekfinalet e Kupës, udhëtim në Antalia dhe miqësore luksi. Këtë radhë nuk ka dashuri, por “luftë”
Gjergji Stefa
Tirana dhe Kukësi sezonin e shkuar i ngjasonte një martese me interes. Nëpër botë ka shumë të tilla. Mua më duhen dokumentet, ti do firmosësh dhe do marrësh paratë. Në fund martesa ia arriti qëllimit. Fituan të dyja. Kukësi kampionatin, Tirana kupën. Kjo martesë në fakt nuk është as e para as e fundit. Raporti kupë-kampionat është shndërruar në një marrëdhënie që ndër vite ka parë ekipe të ndryshme, nga më të fortat te më të dobëtat. Kështu që për moralistët që prej muajsh thonë: martesa e degjeneruar, duhet të shohin një herë çka ndodhur në të shkuarën për të kuptuar se qëllimi justifikon mjetin. Makiaveli. Tani duhet që disa gjëra ti themi nga morali. Asnjëherë dhe në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë në opinion një gjë e tillë nuk duhet të justifikohet. Në parim, të gjithë që e bëjnë bëjnë gabim! Dhe kjo është aksiomë, teoremë që nuk ka nevojë për vërtetim.
Të shkuara, të harruara, të ardhme, të përparme. Goglat janë një ironi më vete. Ja pra sërish, Tirana-Kukësi, sërish çerekfinale. Sërish me Kukësin që do titullin – e do vërtet, megjithëse është 12 pikë pas – dhe Tiranën që do kupën, megjithëse është një kategori më poshtë. E pastër si drita. Matematika nuk merr përsipër asnjë lloj kombinimi. Do nxjerrin xixa. Kukësi e di mirë që kampionatin s’do e marrë dhe do t’i turret kupës, ndërsa Tirana e di mirë se megjithëse ka një ekip të mirë njerëzit vazhdojnë të thonë: nuk janë gjë. Nëse këtë radhë mundin Kukësin, atëherë po, mund të thuash: “po, dhe Tirana do ia vlente të ishte pretendente në këtë kampionat të Superiores”.
Për ata që e kanë harruar ka pasur një provë gjenerale. Superkupa. Atë ditë Tirana të ngjasonte si kampionia në fuqi, ndërsa Kukësi si skuadra që kish dalë nga kategoria.
Përtej teorive të konspiracionit, të shkuarës së përlyer plot interes, dhe kategorive ku luajnë, Tirana dhe Kukësi nuk kanë diferenca të mëdha. Dhe kjo pranohet nga të gjithë ata që diçka nga futbolli kuptojnë. Ilion Lika, Hoxhallari, Doka, Mauexhe, Sentamu, Karabeci, Daja dhe Ngo mund të luanin në çdo skuadër të Superiores. Madje dhe te Kukësi.
Ndeshja e parë luhet në Tiranë. Tirana ka nisur t’i provojë ethet, frikërat vijnë nga efektet anësore. Po gjyqtari? Një vit më parë askush nuk e dinte emrin e gjyqtarit, ndërsa këtë shkurt të gjithë do duan që gjyqtari të jetë i huaj. Ndeshja e parë luhet në 31 janar, e dyta në 14 shkurt. Nuk ka Shën Valentin këtë 2018. Këtë vit është versioni lufta dhe paqja. Kapitulli i luftës.
Tirana përgatitjet do i bëjë në Turqi. Palët thonë që mund të bëhet një ndeshje kundër Skënderbeut. Vendi i parë në Superiore me vendin e parë në Kategorinë e Parë. Një Superkupë më vete. Dhe për Dajën për shembull, me Tiranën mundi Skënderbeun, me Skënderbeun në dy ndeshje një barazim dhe një fitore kundër Tiranës. Fitorja erdhi pas ndihmës së gjyqtarit. Tirana-Skënderbeu në Turqi do ishte shumë e bukur për t’u parë. Klubet kanë raporte shumë miqësore dhe do ishte si një derbi brenda një familje të madhe bardheblu, që gjysmën e sheh me ngjyra të tjera.
Vit i ri merkato e vjetër. Kenia, Afrika, qendërmbrojtësi Musa, lojtar i kombëtares. Tirana e 2018-ës mezi po pret ta nisë nga Kukësi. Kur nuk ka aleanca të shijon më shumë, ndoshta dhe humbja. Tirana nuk e mendon humbjen. Është në Kategori të Parë, por vazhdojnë të thonë: “Ne jemi Tirana”. Kukësi nuk është budalla, e di që do ta ketë të vështirë.