Detaji/ “Lërjani Asllanit”! D’Ambrosio e di perfeksionin në krosimet e Kristjanit, shtyn lojtarët e Interit t’i lënë topin mesfushorit shqiptar

Interi ka pësuar humbje 1-0 në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e sotme kundër Lensit. Minuta në fushën e lojës pati edhe për Asllanin, i cili zëvendëson Brozoviçin në pjesën e dytë. Mesfushori shqiptar ka treguar cilësi të mëdha në pak kohë me zikaltrit, duke bindur më së miri edhe shokët e skuadrës për aftësitë e tij. Këtë e vërteton më së miri edhe detaji i parë në ndeshjen e sotme.

Në minutën e 87 Interi fiton të drejtën e një goditjeje dënimi në një pozicion ku mund të prodhonte rrezikshmëri për kundërshtarët. Pranë topit shkojnë tre lojtarë, mes tyre edhe Asllani. Të tre diskutojnë se cili do të jetë ai që do të gjuante topin dhe D’Ambrosio i jep dritën jeshile Asllanit.

Futbollisti italian e di më mirë se kushdo perfeksionin nga krosimet e 20-vjeçarit, teksa ky i fundit i dha asistin në golin kundër Luganos. D’Ambrosio shtyn shokët e skuadrës të largohen për t’i lënë topin Asllanit që ta dërgojë në zonën e Lensit. Fatkeqësisht harkimi i tij nuk u finalizua me gol, megjithatë Kristjani ka një tjetër arsye për të festuar. Tashmë ai ka besimin e plotë nga shokët e skuadrës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *