Juventusi ka nisur të planifikojë ekipin e së ardhmes, nisur edhe nga dështimi në Ligën e Kampionëve. Prapavija e bardhezinjve pa Bonuçin dhe Kielinin nuk bind aspak dhe kjo u pa qartë në sfidën e kthimit kundër Vijarealit.
Për këtë arsye drejtuesit e “zonjës së vjetër” kanë përveshur mëngët për të sjellë përforcime në këtë repart. Juventusi ka paraqitur një ofertë në drejtim të Antonio Rudigerit. Mbrojtësit të Çelsit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe nisur nga ngrirja e aksioneve të “bluve të Londrës” ka vendosur të largohet nga “Stamford Brixh”.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Rudiger ka pranuar ofertën e gjigantëve italian, duke i thënë “po“ kontratës 4-vjeçare të bardhezinjve. Mësohet se gjermani do të përfitojë 6.5 milionë euro neto në sezon, ndërsa nga ana tjetër Juventusi nuk do të shpenzojë para për kartonin e tij, duke qenë se në verë do të jetë lojtar i lirë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/