Partizani dhe Tirana kanë gjithmonë rivalitet të madh, në të gjitha sportet. Por këtë herë situata ka shkuar larg dhe kemi të bëjmë me një rast të pazakontë. Në kampionatin kombëtar të basketbollit të femrave ka pasur përleshje.
Partizani fitoi 86-83 kundër Tiranës duke i eliminuar nga gjysmëfinalja, por rezultati ka pak rëndësi. Të dyja kampet janë përfshirë në një përplasje fizike ku nuk kanë munguar grushtet mes basketbollistëve. Në një intervistë për “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora Neës” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari ishte sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani. Ky i fundit tregoi pak mbi masat ndëshkuese që do të merren pas kësaj situate skandaloze.
“Të vjen keq që në një ndeshje të tillë si ajo mes Partizanit dhe Tiranës të ndodh një shfaqje e tillë. Masat organizative nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Ndoshta ka pasur një lloj nënvlerësimi. Ne po përgatisim raportet për këtë situatë dhe do të ketë një mbledhje të komitetit drejtues të Federatës. Vendimi do të merret atje dhe nuk mund të flas para kohe.
Policia duhej të ishte aty afër, por gjithsesi nuk mund të ishin në numër për ta përballuar këtë situatë. Për më tepër që çdo gjë ka shpërthyer në fare pak kohë, papritur, teksa sportistet po i jepnin duart njëra-tjetrës. Ne do të zbatojmë çdo pikë të rregullores, për këtë duhet të jeni të sigurt. Ne duam luftë sportive, jo dhunë. Ne duam që të afrojmë njerëzit në pallatin e sportit dhe kërkojmë që skena të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”, tha Llazani. /Sport Ekspres/