Dështon Asambleja e Vllaznisë, rrogat në ajër

Administratori Gjyrezi: Shtyrja e mbledhjes nuk ndikon tek lojtarët, sepse kemi folur dhe në Gjirokastër do të fitojmë

Gaspër Marku

Paraditen e së enjtes ishte planifikuar që në sallën e Këshillit Bashkiak të zhvillonte punimet Asambleja e Klubit të Futbollit Vllaznia. Një asamble e paralajmëruar që në mbledhjen e kaluar në të cilën duhej të ishin prezent këshilltarët bashkiakë, të cilët janë automatikisht anëtarë të asamblesë së klubit Vllaznia.

Në rendin e ditës të kësaj mbledhje ishin edhe dy pika të rëndësishme ajo e shumës financiare prej 170 milion lekësh që duhej të kalonte për llogari të aktivitetit të klubit kuqeblu, si dhe evidentimi i një pasqyre financiare të aktivitetit vjetor të klubit për të cilen administratori Astrit Gjyrezi dhe stafi i tij ishin përgatitur me dokumentacionin përkatës për të dhënë çdo sqarim në detaje përpara asamblesë. Edhe pse është pritur rreth 40 minuta nga orari i thirrjes së kësaj asambleje, numri i kërkuar sipas rregullores për pjesëmarrjen në sallë nuk është arritur. Kështu që, duke qenë të pranishëm vetëm 20 anëtarë, kryetari i Këshillit Bashkiak, Xhemal Bushati, ka qenë i detyruar të deklarojë moszhvillimin e punimeve të kësaj asambleje duke kërkuar që një gjë e tillë të realizohet në një datë tjetër. Dështimi i asambles dhe sidomos mungesa e kalimit të shumës financiare në arkën e klubit të futbollit Vllaznia duket se përbën një problem serioz për ecurinë dhe funksionimin e skuadrës. Sepse, siç është bërë e ditur, që nga muaji maj asnjë nga futbollistët dhe stafi teknik nuk paguhet. Megjithatë menjëherë pas dështimit të punimeve të Asamblesë, administratori i klubit kuqeblu, Astrit Gjyrezi, nuk mendon se një problem i tillë do të ndikojë tek skuadra. Sipas tij, ekipi është i përgatitur për një gjë të tillë pasi kanë pasur kontakte gjatë të gjithë këtyre ditëve dhe në bisedat me to janë mirëkuptuar.

“Besoj se një moszhvillimi i kësaj mbledhje nuk do të ndikojë në gjendjen e skuadrës. Ekipi është i përgatitur, kemi pasur kontakte gjatë të gjithë këtyre ditëve, kemi biseduar për këtë problem. Shpresojmë që shumat në fjalë të kalojnë dhe kemi bindjen se do të kalojnë. Edhe në rast se ato nuk kalojnë, lekët do të kalojnë shumë shpejt. Pavarësisht kësaj, unë gjej rastin të falënderoj anëtarët e Këshillit Bashkiak, ato që ishin prezent. Kurse pjesa tjetër mendoj se do të vijnë në mbledhjen e radhës, data e së cilës do të caktohet shpejt. Janë këto këshilltarë që e kanë kaluar këtë fond, thjeshtë për arsye ligjore kalojnë në asamble dhe nuk besoj se do të ketë pengese”, ka thekuar Gjyrezi në lidhje me problematiken e mos kalimit të shumës financiare dhe njëkohësisht të marrjes së rrogave për futbollistët.

Luftëtari
Duke folur direkt për ndeshjen e radhës, ai është shprehur optimist se Vllaznia do të dijë të lërë pas Teutën për të marrë një rezultat pozitiv në Gjirokastër. “Humbja me Teutën mund të bëhet një mësim për ndeshjen me Luftëtarin. Kam bindjen se lojtarët janë totalisht të angazhuar. Dhe unë shpresoj që do të kemi një rezultat pozitiv. Mendoj se do të fitojmë në Gjirokastër, nuk mund të mendojmë se ka rezultat tjetër”, ka përfunduar Gjyrezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *