Dështoi te Skënderbeu, Ogunxhimi spiunon korçarët në Kazakistan

Marvin Ogunxhimi ishte një nga dështimet e merkatos së janarit te Skënderbeu, teksa sulmuesi belg nuk mundi dot të shënojë asnjë gol me fanellën e korçarëve. Në një intervistë që ai ka dhënë për “sports.kz”, ai u ka zbuluar kazakëve kundërshtarin e tyre. Fillimisht ai ka folur për barazimin në Kazakistan. “Nuk u çudita, pasi Skënderbeu ka lojtarë të mirë. Nuk ka lojtarë të kalibrit të Arshavin, Isael apo Gou, por ka në formacion mjaft lojtarë të mirë. Skuadra favorite? Është shumë e vështirë të thuash sepse Skënderbeu është shumë i mirë në fushën e vet,ndërkohë disa nga shokët e skuadrës time më thonë se Kairat është i mirë gjithashtu. Do të jetë një ndeshje e mirë”, thotë belgu i Okzhtepe.

YLLI I SKUADRËS

“Latifi. Pa të, Skënderbeu nuk do të kishte asnjë shans, por falë aftësive individuale të tij, ai është lojtari më i rrezikshëm në këtë skuadër dhe organizon rastet për shënim të saj. Pse luan majtas? Pasi aty ai ka më tepër mundësi të kalojë mbrojtjen kundërshtare dhe të gjuajë, njësoj si me Arshavinin, i cili luan gjithashtu në të majtën. Është shumë i rrezikshëm për mbrojtësit.

DAJA

“Trajneri Ilir Daja është si një diktator. Ai dëshiron të kontrollojë gjithçka. Por disa lojtarë në skuadër kanë më shumë autoritet se ai brenda klubit”.

TIFOZËT

“250 forca policore? Po, tifozët e Skënderbeut mund të jenë të dhunshëm, në aspektin pozitiv. Ata do të shtyjnë skuadrën e tyre drejt fitores, ndoshta edhe me provokime. Megjithatë, ata presin që Skënderbeu të fitojë gjithmonë në shtëpi dhe nëse nuk fitojnë, mund të ketë probleme, ndaj duhet edhe policia.

KËSHILLA

Skënderbeu është një skuadër e mirë, por nëse Kairati do të ndalojë Latifin dhe do të jetë në gjendje të përballojë atmosferën agresive në stadium, atëherë skuadra kazake do të fitojë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *