Fredi Adu, fenomeni i madh që pritej të pushtonte botën, me shumë gjasa do të bëhet një histori filmi herët a vonë.
Djaloshi 27-vjeçar me origjinë ganeze në fillim të viteve 2000 konsiderohej si e ardhmja e futbollit. Paraqitje entuziazmuese, debutim në moshën 14-vjeçare në kampionatin amerikan dhe pak më vonë debutim rekord me kombëtaren amerikane, intervista pa fund, kontrata milionere me marka veshjesh dhe mbi të gjitha, bekimi nga i madhi Pelé, i cili lëshoi batutën që është ndoshta gafa e tij më e madhe në karrierë: “Adu është pasardhësi im”.
Kaq, sepse mrekullia zgjati pak: Adu nuk shpërtheu kurrë, sepse shkoi te Benfika dhe dështoi, ndërsa më pas provoi kudo, nga Franca, në Portugali, Greqi, Turqi, Brazil, Serbi, Finlandë.
Pak kohë më parë, në verën e vitit 2014, ia ofruan Flamurtarit të Vlorës, por në klubin vlonjat nuk u bindën, duke parë trajektoren anormale të një fenomeni që në vitet 2012-2014 nuk kishte luajtur thuajse asnjë ndeshje në Brazil, te Bahia.
Pas dështimit të bisedimeve me Flamurtarin, Adu përfundoi te Jagodina në Serbi, por aty luajti vetëm një ndeshje kupe në shtator 2014 dhe më pas asgjë. Në fund të vitit prishi kontratën, shkoi të luante pak ndeshje në Finlandë te KuPS dhe në verën e vitit 2015 përfundoi në kategorinë e dytë të futbollit amerikan, te Tampa Bej. Dështim total edhe aty, vetëm 136 minuta në gjithë vitin 2016, ndërsa ditët e fundit e mori në provë Portland Timbers në MLS: provë e dështuar, pasi sipas Portlandit, skuadra është e kompletuar dhe për Adun nuk ka vend.
Tani Adu tenton sërish: provë në Poloni, te Sandecja Novi, klub i divizionit të parë polak. Si ka shkuar, askush nuk e di, sepse menaxheri i tij polak nuk di asgjë dhe sulmon Sandecjan, që ka kontaktuar pa leje klientin e vet. Të shohim a do ta mbajnë.