Hamdi Salihi shënon gjithmonë, si një orë zvicerane, por ekipi i tij austriak, Viner Nojshtat, e ka humbur vrullin që kishte në pjesën e parë të sezonit.
Që pas rifillimit të kampionatit, në shkurt, Nojshtat ka luajtur 10 ndeshje kampionati dhe ka fituar vetëm 3 herë.
Sot Nojshtati priste Austria Lushtenaun dhe ishte një rast ideal për të avancuar në renditje, por fitorja e tretë rresht nuk erdhi.
Përfundoi 2-2, me Salihin që bëri të pamundurën, shënoi dy gola në minutat 25 e 59, i dyti me penallti, por ndonëse golat e tij dy herë vlejtën barazimin, fitorja nuk erdhi.
Një barazim që ngjan si humbje, sepse tashmë Nojshtati është kapur sërish nga Riedi në renditje, ndërsa vendi i dytë mbetet 4 pikë larg.
Ndërkaq, Salihi shkon në kuotën e 19 golave, një më pak se shënuesi më i mirë i divizionit të dytë në Austri.