Futbolli belg është duke kaluar një ndër momentet më të vështira gjatë këtyre ditëve të fundit. Operacioni “Duart e Pastra”, i policisë belge në bashkëpunim me Interpolin ka çuar 22 vetë pas hekurave, ndër ta ish-drejtues klubesh, gjyqtarë, agjentë dhe trajnerë. Pastrim parash, korruptim arbitrash dhe tolerime ndeshjesh midis presidentëve të klubeve, pra thuajse çdo e keqe që mund të ndotë sportin e futbollit.
Por, një tjetër dëshmi tronditëse ka ardhur nga një gjyqtari i njohur i vendit, i cili ka folur në mënyrë anonime për medien belge “RTL”, duke zbuluar disa prapaskena të frikshme në botë n e futbollit belg.
DREJTUESIT E KLUBEVE – “Pothuajse asnjë ndeshje nuk luhet pa influenca të jashtme, ose marrëveshje midis drejtuesve për paracaktimin e fituesit të takimit. Nuk janë gjyqtarët që manipulojnë ndeshjet, por drejtuesit e klubeve. Ata të gjithë e njohin mirë njeri-tjetrin dhe bëjnë marrëveshje të tipit: Do të ishte mirë nëse do më lësh të fitoj, ose do ishte mirë nëse humbas sot. Një arbitër i vëmendshëm mund ta dallojë një ndeshje të paracaktuar. Shpeshherë titullarët e zakonshëm janë të ulur në stol, sulmuesit shpërdorojnë raste të pastërta dhe portierët bëjnë gafa të pabesueshme”
PREMIO PËR HUMBJE – “Drejtues të klubeve u shpërndajnë para lojtarëve për të humbur ndeshjen. Kjo ndodh nga divizioni i tretë në të parin. Asnjë arbitër i vetëm nuk shkon në një ndeshje me qëllim për ta manipuluar atë, por ekziston një presion i paparë mbi ne. Ata na bëjnë të kuptojmë se nuk kemi zgjidhje tjetër”
KORRUPSION INDIREKT –“Lojtarë dhe drejtues klubesh na çojnë mesazhe para ndeshjes, duke na thënë se i duhen shumë pikët, ndërsa ka dhe ata që kërkojnë kartonë të verdhë e të tjerë që kërkojnë të mos ndëshkohen. Para ndeshjeve vijnë e na takojnë zyrtarë të lartë klubesh, të cilët na ftojnë për darka në restorante, na japin bileta koncertesh e kinemash, por ka dhe nga ata që nuk kanë frikë të kërcënojnë”, përfundoi gjyqtari anonim.