Një ndër sulmuesit më të fortë të Afrikës së Jugut ka humbur jetën. Fil Masinga ka shënuar 18 gola me kombëtaren afrikane, ndërsa ka luajtur në Europë me ekipt e Lids Junajtid, Salernitanës dhe Barit.
Ish-sulmuesi i famshëm ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme në moshën 49-vjeçare. Shkaqet nuk bëhen të ditura, ndërsa kreu i futbollit të Afrikës së Jugut ka reaguar në rrjetet sociale për vdekjen e Masingës.
“Ditë e trishtë për futbollin e Afrikës së Jugut. Masinga ishte një shërbëtor besnik i lojës së futbollit, brenda dhe jashtë fushave të blerta”, u shpreh Deni Xhordan, kreu i Federatës së Afrikës së Jugut në “Twitter”.
Masinga mbahet mend për golin deçiziv të shënuar kundër Kongos, çka i dha mundësinë Afrikës së Jugut të kualifikohet për herë të parë në histori në Botërorin Francë 1998. Masinga ishte pjesë e kombëtares dhe gjatë fitimit të Kupës së Kombeve të Afrikës në vitin 1996.