Derbin e Lezhës e fitojnë… shkodranët

Besëlidhja mposhti Shënkollin me rezultatin e pastër 0-2, teksa protagonistë ishin Dyca me golin e shënuar dhe Bajri me penalltinë e pritur

Benard Gjikolaj

Derbi fitohet nga Besëlidhja. Skuadra e drejtuar nga Anteu Pepaj ka thyer Shënkollin në shtëpinë e këtyre të fundit dhe kualifikimi në raundin tjetër të Kupës duket i vendosur tashmë. Në fragmentin e parë të lojës asnjëra skuadër nuk arriti të shënojë, ndërkohë që në të dytën Dyca hapi takimin me golin e tij. Një tjetër shkodran, Samet Bajri, u bë protagonist, pasi i priti penalltinë Ruben Danajt. Portieri 19-vjeçar ka dëshmuar edhe te Vllaznia U19 se ka “nuhatje” për 11-metërshat, ndaj nuk mund të konsiderohet rastësi. Për të mbyllur llogaritë mendoi Konte me golin e shënuar në limitet e takimit.

NDESHJA
Takimi mes Shënkollit dhe Besëlidhjes nisi i qetë, me Besëlidhjen me skuadrën mike që mori kontrollin e lojës. Dhjetë minutat e para nuk sollën asgjë, ndërkohë që sulmi i parë i rrezikshëm u regjistrua me Oumar Kamara dhe Mus Bangura, por ky i fundit nuk ishte i saktë me goditjen e tij. Në mesin e pjesës së parë ishte Shënkolli që iu afrua golit, por gjuajtja e Kullit me kokë shkoi mbi tra. Ndonëse të dyja skuadrat sulmuan zonat respektive, mbrojtjet ishin në lartësinë e duhur për ta mbajtur rezultatin të bardhë në 45 minutat e para. Pjesa e dytë nisi më e fortë. Besëlidhja e mori seriozisht, duke u organizuar dhe në të 49’ ishte I. Kamara që gjuajti fort ngjitur me traun e portës vendase. Kundërpërgjigjen vendasit me një sulm të nisur nga Mirdita, i cili kombinoi me Kullin dhe ky i fundit e çoi sferën te Ruben Danaj. Sulmuesi nuk ia doli të gjuante në kohë dhe mbrojtje e Besëlidhjes largoi rrezikun. Goli do të vinte në minutën e 56-të, teksa Dyca pas pasimit të O. Kamara, duke studiuar pozicionin e portierit shënkollas, gjuajti dhe e kaloi topin në rrjetë. 0-1 dhe Shënkolli vihet në lëvizje, por pa mundur që t’i finalizojnë aksionet, pas mbrojtësit e Besëlidhjes ishin në lartësinë e detyrës. Në minutën e 70-të Danaj pati një mundësi nga një goditje dënimi, por gjuajtja e tij shkoi mbi tra. Pesë minuta më vonë Mirdita u pengua në zonë dhe për kryesorin Dragusha kemi të bëjmë me penallti. Merr përsipër Ruben Daja, që u befasua nga portieri Bajri, i cili grushtoi goditjen e sulmuesit lezhjan, që i hoqi mundësinë për të barazuar shifrat. Kjo ndikon në lojën e Shënkollit, ndërkohë që Besëlidhja arrin të realizojë edhe një gol tjetër në fund të takimit me Konten dhe gjithçka u mbyll me rezultatin 0-2.

13 shtator 2017, ora 16:00, Shënkoll

SHËNKOLLI – BESËLIDHJA   0-2

Shënues: Dyca 56’, Konte 89’

SHËNKOLLI: Rin. Danaj, S. Danaj (Gega 15’), Mashi, Mirdita, Baku, Pjetrushi, Selaci, Ceku (Gjonaj 65’), Kulli, Ramaj, Rub. Danaj. (NË DISPOZICION: Hasanaj, Nekaj, Dodaj, Dedaj, Zefi). TRAJNER: R. Kulli

BESËLIDHJA: Bajri, Hidri, Dore, Ndreca, I. Kamara, Met’hasani, Dyca, Përgjoni, Malaj (Miloti 63’), O. Kamara, Bangura (Konte 85’). (NË DISPOZICION: Dibra, Gomez, Shquti, Hepaj). TRAJNER: A. Pepaj

DELEGAT: Anastas Buneci (Tiranë)

VËZHGUES: Besnik Meço (Tiranë)

GJYQTARË: B. Dragusha, F. Thorja, S. Zeka, A. Pirani (Shkodër)

KARTONË TË VERDHË: Mirdita 25’, Gegaj 36’, Pjetrushi 90+2’/ Dore 25’, Bangura 69’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *